“3 vjet burg nëse mban 2 gra”, Eris Dhamo: Ndryshimi i Kodit Penal i nevojshëm. Ligji duhet të vijë së bashku me ndërgjegjësimin
Qeveria ka hartuar ndryshime ligjore në Kodin Penal, ku partnerët me dy bashkëjetesa njëkohësisht dënohen me burg deri në 3 vjet, si një përpjekje për t’i dhënë fund fenomenit të bigamisë.
Për të kuptuar më shumë se pse ky fenomen po shqetëson kaq shumë shoqërinë shqiptare, sa të detyrojë qeverinë ta rregullojë këtë problem me ligj, e ftuar në studion e lajmeve ishte pedagogia e fakultetit të Shkenca Sociale në Universitetin e Tiranës, Eris Dhamo.
“Mendoj se ligji i jep fund këtyre martesave të dyfishta, dhe e ndalon një martesë të dytë paralele.
Por përveç ligjit, kjo masë duhet të shoqërohet edhe me një normë ndërgjegjësimi, që gratë të cilat kanë një fëmijë dhe nuk dinë se si është një marrëdhënie e tillë, sigurisht që do të jenë më të ndërgjegjësuara për hapat dhe vendimet që ato marrin.
Ata që janë të informuar për marrëdhënie të tilla, sigurisht që janë persona me parime perëndimore.
Nuk besoj se kjo bie ndesh me parimet e fesë, pasi ne së pari jemi shtet laik dhe nuk ndikohemi nga feja. Sepse të gjithë shkelësit që preken nga ligjet e reja normalisht që preken dhe cenohen, por një shtet ngrihet mbi vlera dhe norma ligjore.
Në këtë rast nuk mendoj se kemi të bëjmë me një tradhti bashkëshortore në rastin konkret, por kemi të bëjmë me marrëdhënie të paligjshme”, u shpreh ndër të tjera, pedagogia Eris Dhamo.



