Si ndikojnë temperaturat e larta në shëndetin mendor/ Jaupbashi: Në ditët e nxehta rritet nervozizmi dhe përkeqësohen simptomat e ankthit
Temperaturat e larta nuk ndikojnë vetëm në shëndetin tonë fizik, por kanë një ndikim të thellë edhe në atë mendor.Psikologia, Sonila Jaupbashi,në një lidhje të drejtpërdrejtë, në "Ora News", ka shpjeguar se si vapa e tepërt rrit stresin fiziologjik, gjë që çon në rritjen e nervozizmit, çrregullimin e gjumit dhe vështirësi në menaxhimin e emocioneve.
Gjatë stinës së verës, dehidratimi dhe stresi i vazhdueshëm i trupit për t'u ftohur rrisin ndjeshëm shanset për konflikte, duke bërë që të shtohen debatet në çift apo në familje. Përtej nervozizmit të përditshëm, stina e nxehtë paraqet një sfidë të vërtetë për personat që vuajnë nga ankthi apo probleme të tjera të shëndetit mendor.
Simptomat e vapës, si djersitja e tepërt, mungesa e thellë e frymëmarrjes dhe rrahjet e shpeshta të zemrës, ngjasojnë jashtëzakonisht shumë me simptomat e një ataku paniku. Kjo situatë i ngatërron dhe përkeqëson ndjeshëm përjetimet e këtyre individëve.
Për të përballuar me sukses këtë periudhë, ekspertët theksojnë rëndësinë jetike të një hidratimi të mirë, shmangien e rreptë të alkoolit, kafeinës dhe pijeve energjike, si dhe evitimin e lëvizjeve në ambientet e jashtme gjatë orëve të pikut të diellit.
"Elbasani është një nga qytetet shumë të nxehta të Shqipërisë, kështu që dhe ne si pjesa tjetër e vuajmë këtë gjë. Përpiqemi ta evitojmë oraret e pikut, po e vuajmë. Sidomos e vuajnë më shumë fëmijët, mosha e tretë, por dhe persona të cilët vuajnë nga ankthi apo nga çrregullime të rënda të shëndetit mendor.
Sigurisht, shëndeti mendor nuk ndikohet vetëm nga përjetimet psikologjike, por ndikohet dhe nga faktorët mjedisorë. Një nga këto është edhe temperaturat e larta. Gjatë ditëve të nxehta organizmi është në një stres fiziologjik. Dhe stresi fiziologjik e rrit nervozizmin, rrit lodhjen, vështirëson përqendrimin, çrregullon gjumin. Kur nuk fle mirë, çdokush mund ta vërtetojë këtë në jetën e përditshme, dhe kur trupi është i dehidratuar për shkak të temperaturave të larta, emocionet bëhen më të vështira për t'u menaxhuar. Gjatë verës shtohen shumë rastet e konflikteve. I shohim rëndom edhe në media, në jetën e përditshme.
Trupit i duhet më shumë kohë për të ulur nxehtësinë. Zemra punon më shumë, djersitja, mungesa e ujit... të gjitha këto mund të ngatërrohen edhe mund të çojnë si një sulm paniku. Të gjitha këto krijojnë një vështirësi për të menaxhuar emocionet. Dhe kur streset e tjera të përditshmërisë, siç janë pjesa ekonomike apo konfliktet në çift, apo ndoshta dhe një konflikt tjetër jashtë shtëpisë, bëjnë që të reagojmë në mënyrë të shtuar, pikërisht për shkak të këtyre simptomave që nxehtësia na jep.
Llogarite dhe një pjesë tjetër Lili, që njerëzit që kanë probleme të shëndetit mendor, ankth por edhe probleme të rënda të shëndetit mendor, temperaturat e larta e rrisin shumë lart rrezikun e përkeqësimit të simptomave. Ndaj kësaj kohe të gjithë psikologët në mënyrë të shtuar janë duke punuar edhe më shumë për shkak të të gjitha këtyre që sapo përmenda. Veçanërisht të ndikuar janë personat që marrin medikamente.
Medikamentet gjatë kësaj kohe dhe ato të shëndetit mendor por dhe të tjera ndikojnë në rregullimin e temperaturës së trupit. Shumë studime kanë treguar, kemi dëgjuar, kemi lexuar, që vala e të nxehtit, nga kjo vala e të nxehtit rriten vizitat në urgjencë. Për problemet e shëndetit mendor, por dhe për probleme të tjera që kanë lidhje me dehidratimin, me tensionin e lartë, me mosmbushjen me frymë të organizmit, dhe të gjitha këto simptoma ngatërrohen shumë lehtë me simptomat e ankthit. Simptomat e ankthit tipike janë: nuk mbushesh dot me frymë, rrahje të shpeshta të zemrës, djersitje.
Këto mund të vijnë dhe për shkak të temperaturave. Por një që vuan nga ankthi i ka dhe më të shtuara dhe sigurisht që e vuan. Në ditët e nxehta Lili është shumë e rëndësishme hidratimi i mirë. Shmangia tërësisht e ekspozimit në orët e pikut. Të mos pihet alkool, pije energjike dhe kafeinë e tepruar".-u shpreh ajo.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE




