“950 euro për mësuesit”/ Nënkryetari i Sindikatës: Mësuesit s’kanë vetëm pagat, por dhe kushtet. Duhet reformë e thellë

I pranishëm në lançimin e programit kombëtar për Zhvillimin profesional të Mësuesve, Kryeministri Edi Rama deklaroi një javë më parë se brenda pak muajsh paga mesatare e mësuesve do të shkojë 950 euro.

Ai premtoi reformim të sistemit të pagave dhe kualifikimeve për mësuesit.

Por për të kuptuar se si e shikojnë këtë deklaratë të kreut të Qeverisë, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, ishte Isa Halilaj, Zëvendëskryetar i Sindikatës së Mësuesve.

“Së pari, mësuesit i marrin pagat e tyre në lekë dhe jo në euro, dhe mendoj se ai duhet të flasë me monedhën zyrtare të Shqipërisë, dhe jo në valutë të huaj.

Së dyti, arsimi nuk ka nevojë vetëm për pagat e mësuesve. Kjo pasi kemi shumë probleme me mungesat e mësuesve në disa degë të vendit.

Po ashtu, nëse flitet për rrogat, duhet të flitet edhe për buxhetin për arsimin. Pra duhet të trajtojmë kushtet e punës ku mësuesit punojnë/ ka shumë shkolla që janë jashtë standardeve normale për një institucion arsimor.

Ne kemi mungesa të theksuara mësuesish, madje dhe në qendër të Tiranës, jo më nëpër rrethe dhe në zonat rurale.

Po ashtu ka mungesa edhe për edukatore të kopshtit. Nisur nga kjo mendoj se duhet urgjentisht një reformë e thellë në arsim”, theksoi ndër të tjera Isa Halilaj, Zëvendëskryetar i Sindikatës së Mësuesve.

mësues lili saraçi isa halilaj

EMISIONET