“Në veri ka territore ku toka nuk është ndarë kurrë me ligj”/ Rama për protestat ndaj Paketës së Maleve: Ata që i shohin malet nga qyteti, s'e kuptojnë realitetin

“Në veri ka territore ku toka nuk është ndarë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat që kanë përfshirë vendin lidhur me Paketën e Maleve, duke sjellë argumentet e tij mbi arsyet që çuan në hartimin e këtij ligji.

Në një komunikim në rrjetet sociale nga Thethi, Rama u ndal te kundërshtimet ndaj paketës dhe kritikoi ata që, sipas tij, e gjykojnë çështjen pa njohur situatën reale në zonat malore.

Rama u shpreh se në disa territore të vendit, veçanërisht në veri, ka ende probleme të pazgjidhura me ndarjen dhe dokumentimin e tokës.

“Nuk e di sa janë të informuar ata që malet i shohin nga qyteti dhe politikën e gjykojnë nga kafeneja”, u shpreh Rama, duke shtuar se Paketa e Maleve ka lindur pikërisht nga këto problematika.

Sipas tij, në disa komunitete banorët nuk e kanë njohur apo pranuar ndarjen e tokës sipas ligjit të pronësisë pas viteve ’90 dhe për këtë arsye kanë bërë ndarje mes tyre.

“Ka territore ku banorët dhe komunitetet nuk e kanë njohur ligjin e ndarjes së tokës. Për këtë arsye e kanë ndarë tokën mes tyre, sepse me ligjin 7501 nuk kanë ndarë atë që kanë pasur në të shkuarën”, u shpreh kryeministri.

Debati për Paketën e Maleve ka sjellë kundërshtime nga banorë dhe grupe të ndryshme, të cilët kanë ngritur shqetësime për mënyrën e trajtimit të tokave dhe pronave në zonat malore. Ndërkohë, qeveria e ka paraqitur këtë paketë si një përpjekje për të zgjidhur problematikat e pronësisë dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të këtyre zonave.

 

EMISIONET