Policia shqiptare në bashkëpunim me policitë e 23 shteteve evropiane kanë vënë në pranga 11 persona të akuzuar për trafik të armëve të cilat prodhoheshin në Turqi me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Në operacionin e koduar Bosfori u sekuestruan 191 armë pistoleta dhe 3714 karikatorë. Në vendin tonë u arrestuan 9 shtetas, si dhe u sekuestruan 7 armë zjarri, 881 fishekë, sasi të vogla kanabisi si dhe dokumente të falsifikuara. Pistoletat e sekuestruara në Shqipëri arrijnë në vlerën nga 1000-2500 euro.

Operacioni në fjalë është zhvilluar mes datave 2 dhe 11 nëntor, ku fokusi ishte për goditjen e linjës së trafikut Turqi-Bullgari-Shqipëri dhe më pas destinacionin përfundimtar në vendet e BE-së. Armët e sekuestruara u gjendën në 81 shtëpi të cilat iu nënshtruan kontrolleve për goditjen e trafikut të armëve, në shtetet si Shqipëria, Greqia, Portugalia dhe Rumania.

Po në kuadër të këtij operacioni policitë evropiane kanë sekuestruar më herët dhe mbi 1500 armë zjarri.

Aksioni i koordinuar njëherësh në 24 shtetet evropiane u drejtua nga policia romune me mbështetjen e Bullgarisë, Spanjës dhe Europolit.

Sipas policisë shqiptare Operacioni në fjalë është iniciuar pas sulmeve terroriste në Francë dhe Austri, për të identifikuar rrjetet kriminale që furnizojnë grupe terroriste me armë zjarri dhe municione.

Gjatë operacionit janë kontrolluar 81 banesa.

Rezultatet e operacionit

11 të arrestuar

191 armë të sekuestruara

3 714 copë municione

Karta ID të falsifikuara

Sasi të vogla droge, kanabisi e kokaine.

164 mjete piroteknike

Më përpara ishin sekuestruar 1 585 armë.