Largohet drejtuesi historik i “WhatsApp”, “Meta” gjen pasardhësin

Themeluesi i startup-it indian merr drejtimin e “WhatsApp”, Will Cathcart largohet pas shtatë vitesh.

Largohet drejtuesi historik i “WhatsApp”, “Meta” gjen

“WhatsApp” do të drejtohet nga sipërmarrësi indian Kunal Shah, themelues i kompanisë “fintech Cred”, pasi drejtuesi aktual, Will Cathcart, njoftoi se do të tërhiqet nga posti, pas gati shtatë vitesh në krye të platformës së mesazheve, raportoi BBC.

Cathcart deklaroi sot në rrjete sociale se “WhatsApp” ndodhet në “pozicionin më të fortë që ka pasur ndonjëherë”, dhe se kishte ardhur momenti i duhur, për t’u larguar nga drejtimi i platformës.

Ai do të vijojë të ketë një rol në strukturat drejtuese të “Meta-s”.

Pasuesi i tij do të jetë Kunal Shah, i cili themeloi në vitin 2018 startup-in “fintech Cred” me bazë në Bengaluru.

Kompania është bërë e njohur në Indi për modelin e saj “vetëm me anëtarësi”, që shpërblen përdoruesit me të ardhura të larta për pagesat në kohë të kartave të kreditit.

Shefi ekzekutiv i “Meta-s”, Mark Zuckerberg, e vlerësoi Shah si krijuesin e “një prej kompanive më të rëndësishme teknologjike të Indisë”, duke theksuar se ai sjell përvojën dhe vizionin e nevojshëm, për të drejtuar aplikacionin më të madh të mesazheve në botë.

Sipas Shah, ai do të mbetet aksioner në “Cred” edhe pas marrjes së detyrës së re në “WhatsApp”.

Largohet drejtuesi historik i “WhatsApp”, “Meta” gjen

Ai zbuloi gjithashtu se “Meta” ka investuar 900 milionë dollarë në kompani.

Sipas “Bloomberg”, ky investim i jep “Meta-s” rreth 20% të aksioneve të “Cred”.

Shah theksoi se, megjithëse “Meta” do të jetë investitor minoritar, kompania nuk do të ketë akses në të dhënat e anëtarëve të platformës.

Ndryshimi në drejtimin e “WhatsApp” vjen në një kohë kur, “Meta” po përpiqet të forcojë më tej praninë e aplikacionit në Indi, tregu më i madh i tij.

Sipas të dhënave të “World Population Review”, “WhatsApp” numëron rreth 853 milionë përdorues në Indi.

Platforma, pjesë e familjes së aplikacioneve të “Meta-s” së bashku me “Facebook”, “Instagram” dhe “Messenger”, është një nga shtyllat kryesore të strategjisë së kompanisë, për rritjen e të ardhurave përmes reklamave, abonimeve me pagesë dhe mjeteve të inteligjencës artificiale.

Megjithatë, “WhatsApp” është përballur së fundmi, edhe me kritika në Indi lidhur me privatësinë dhe ndarjen e të dhënave me kompaninë mëmë, “Meta”.

EMISIONET