VIDEO/ Norvegjia siguron kualifikimin me dopietën e Haaland ndaj Senegalit, Algjeria mund Jordaninë

Norvegjia vazhdon paraqitjet mbresëlënëse në Kupën e Botës dhe pas fitores 4-0 ndaj Irakut në ndeshjen e parë, mposhti edhe Senegalin me rezultatin 3-2, duke siguruar matematikisht kalimin në fazën e 1/16-ve.
Sërish protagonisti kryesor ishte sulmuesi i njohur Erling Haaland, i cili realizoi dy gola dhe konfirmoi formën e tij të jashtëzakonshme pas dopietës së shënuar edhe në sfidën hapëse.
Takimi i zhvilluar në MetLife Stadium nisi me dominimin e skandinavëve, të cilët krijuan disa raste të rrezikshme që në minutat e para. Epërsia erdhi në minutën e 43-të, kur Holmgren Pedersen zhbllokoi rezultatin për Norvegjinë.
Pjesa e dytë nisi në mënyrën më të mirë për norvegjezët. Vetëm tre minuta pas rifillimit të lojës, Haaland realizoi golin e dytë të ekipit të tij, duke i dhënë qetësi skuadrës.
Megjithatë, Senegali reagoi shpejt dhe ngushtoi diferencën në minutën e 53-të me anë të Ismaila Sarr. Shpresa e afrikanëve zgjati vetëm pesë minuta, pasi Haaland goditi sërish në minutën e 58-të, duke rikthyer avantazhin prej dy golash për Norvegjinë. Në minutat shtesë, Sarr realizoi edhe golin e dytë personal për rezultatin përfundimtar 3-2, por pa mundur të shmangë humbjen e Senegalit.
Me këtë sukses, Norvegjia regjistron fitoren e dytë radhazi dhe, ashtu si Franca, ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve. Vendin e parë në Grupin I do ta vendosë përballja direkte mes dy kombëtareve në ndeshjen e fundit të grupit. Ndërkohë, Senegali mbetet pa pikë, njësoj si Iraku, duke vështirësuar ndjeshëm shanset për kualifikim.
Algjeria ka mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në Kupën e Botës falë fitores 2-1 me përmbysje ndaj Jordanisë në një ndeshje të Grupit J, e zhvilluar në San Francisco. Skuadra e drejtuar nga Vladimir Petković e nisi sfidën në vështirësi dhe u ndëshkua në minutën e 36-të, kur Jordania kaloi në avantazh me golin e Al Rashdan, pas një asistimi të saktë nga Mousa Al-Tamari.
Në pjesën e dytë, Algjeria reagoi dhe mori kontrollin e lojës. Barazimi erdhi në minutën e 68-të falë golit të Benboualit, ndërsa përmbysja u kompletua në minutën e 82-të nga Amine Gouiri, i cili vulosi fitoren 2-1 për kombëtaren algjeriane.


