Google lançon funksionin e ri kundër thirrjeve të rreme në aplikacionin “Phone!"

Google ka njoftuar një funksion të ri sigurie në aplikacionin e saj Phone by Google, i cili synon të mbrojë përdoruesit nga thirrjet e rreme dhe mashtrimet që përdorin inteligjencën artificiale.
Funksioni i ri synon të luftojë atë që kompania e quan “kërcënimi në rritje i mashtrimeve të imitimit”, ku mashtruesit përdorin teknologji të avancuar, përfshirë deepfake audio, për të imituar zërat e personave të njohur si familjarë, punëdhënës ose figura autoriteti.
Sipas Google, mashtruesit shpesh falsifikojnë numrat e telefonit dhe i kalojnë thirrjet përmes sistemeve online, duke e bërë të duket sikur telefonata vjen nga një kontakt i besuar. Më pas, ata përdorin inteligjencë artificiale për të krijuar zëra shumë realistë, të cilët janë gjithnjë e më të vështirë për t’u dalluar nga zërat e vërtetë.
Ja si funksionon mbrojtja e re
Funksioni i ri i Google punon duke verifikuar në prapaskenë nëse të dy pajisjet janë realisht duke komunikuar me njëra-tjetrën përmes aplikacionit Phone by Google. Kjo verifikim bëhet përmes një sistemi të enkriptuar RCS (Rich Communication Services), duke ruajtur privatësinë e përdoruesve.
Nëse një mashtrues përpiqet të imitojë një kontakt, sinjali i konfirmimit mungon dhe aplikacioni shfaq një paralajmërim, duke i sinjalizuar përdoruesit se telefonata mund të jetë e rreme.
Disponueshmëria
Funksioni do të jetë i aktivizuar automatikisht dhe do të fillojë të shpërndahet globalisht këtë muaj për pajisjet me Android 12 dhe versionet më të reja. Fillimisht do të vijë për telefonat Google Pixel, ndërsa më pas për pajisjet e tjera Android.
Përdoruesit që nuk e kanë aplikacionin Phone by Google si aplikacionin e tyre kryesor mund ta shkarkojnë nga Play Store dhe ta vendosin si default për të përfituar nga kjo mbrojtje e re kundër mashtrimeve me thirrje të rreme dhe teknologji deepfake.

