Formulari i dekriminalizimit, Maliqi: Rasti Kreshnik Hajdarit është skandaloz, ja kush e mban në detyrë
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka pranuar kërkesën për gjykim në themel lidhur me mandatin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, një vendim ky që pritet të shqyrtohet të hënën e datës 8, në orën 11:00.
Zhvillimet e fundit u bënë publike nga përfaqësuesit ligjorë dhe politikë jashtë dyerve të KAS-it, të cilët e kanë cilësuar këtë si një rast unik në historinë e politikës shqiptare.
Ish-kandidati për kryebashkiak Lefter Maliqi deklaroi se kryebashkiaku aktual akuzohet se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit duke fshehur një dënim të formës së prerë për falsifikim formularësh, përkatësisht me 9 muaj burg dhe 150 orë punë të detyruar.
Përtej kësaj shkeljeje të rëndë, ndaj tij rëndojnë plot 11 kallëzime penale në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku përfshihen edhe hetime të hapura për tendera korruptivë.
Maliqi teksa vlerësoi trupën e KAS-it dhe relatorin Rusmaili për pranimin e shqyrtimit, theksoi absurditetin e situatës ku një zyrtar që ka fshehur dënimin vazhdon të mbajë detyrën.
Sipas tij, çdo rast tjetër i ngjashëm ka përfunduar me lënien automatike të mandatit ose moslejimin e kandidimit, ndërsa në këtë rast detyra po mbahet me "mbështetje oligarkike dhe politike".
Beteja për Bashkinë e Kuçovës pritet të kalojë nëpër disa etapa ligjore, duke përfshirë edhe Gjykatën Administrative.
Palët ankimuese janë shprehur të vendosura për ta çuar këtë çështje deri në fund, duke e konsideruar jo vetëm si një betejë juridike, por edhe morale, me synimin që drejtimi i bashkisë t'u kthehet sa më parë qytetarëve jashtë çdo hijeje skandali.


