Rimbursimi për arsimin/ Tatimet nisin verifikimet, mbi 2,161 individë në pritje për kompensim

Rimbursimi për arsimin/ Tatimet nisin verifikimet, mbi 2,161 individë

Administrata Tatimore ka nisur verifikimin e dokumentacionit të dorëzuar nga individët që kanë aplikuar për kompensimin e shpenzimeve të arsimit të fëmijëve, të deklaruara në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA) 2025.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 2,161 individë pritet të përfitojnë nga njohja e shpenzimeve arsimore deri në vlerën 100 mijë lekë. Kjo e drejtë u takon vetëm personave me të ardhura bruto vjetore deri në 1.2 milionë lekë.

Administrata Tatimore po verifikon faturat e fiskalizuara që justifikojnë shpenzimet e deklaruara, proces që pritet të zgjasë më shumë se shqyrtimi i kategorive të tjera të aplikimeve. Pas përfundimit të verifikimeve, kompensimet do të kalohen në llogaritë bankare të deklaruara nga përfituesit.

Përveç zbritjes së shpenzimeve arsimore deri në 100 mijë lekë, individët përfituan edhe zbritjen prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim. Kjo e fundit u njoh për të gjithë deklaruesit e DIVA-s, pavarësisht nivelit të të ardhurave.

Ndërkohë, që nga fundi i muajit maj ka nisur kthimi i kompensimeve për 34,263 individë që kanë deklaruar një ose dy fëmijë në ngarkim. Vlera totale e kompensimeve për këtë kategori arrin në rreth 518 milionë lekë.

Administrata Tatimore bën me dije se e drejta për të kërkuar kompensim nuk humbet për pesë vite, ndërsa afati maksimal për shqyrtimin e kërkesave është deri në dy muaj./Monitor.al

EMISIONET