“Zlatan ‘i paprekshmi’ bie nga froni i tifozëve, protestë e fortë në Milano kundër futbollistit!”

Tifozët e Milanit kanë shpërthyer në protesta kundër Zlatan Ibrahimovic, i cili është kthyer në një nga figurat kryesore të pakënaqësisë së tyre ndaj drejtimit të klubit.
Gjithçka u intensifikua pas një postimi të tij në rrjetet sociale, ku reagimet negative nuk munguan, me komente si “Ibrahimovic Out” dhe thirrje për largimin e tij nga klubi.
Përveç reagimeve online, tifozët kanë përdorur edhe meme dhe fotomontazhe ironike ndaj ish-futbollistit, duke e paraqitur atë si simbol negativ të situatës aktuale në Milan.
Sipas raportimeve, zemërimi i tifozëve nuk lidhet vetëm me postimin e fundit, por me një pakënaqësi më të gjerë ndaj sezonit të dobët të Milanit, humbjes së kualifikimit në Champions League dhe mënyrës si është menaxhuar klubi nga drejtuesit e lidhur me pronësinë e RedBird.

Ibrahimovic shihet nga një pjesë e tifozëve si fytyra publike e këtij projekti drejtues, edhe pse ai nuk mban një rol tradicional drejtues. Protestat janë shtrirë edhe në stadium dhe jashtë “Casa Milan”, ku është kërkuar largimi i disa figurave të administratës së klubit, përfshirë edhe të Ibrahimovic.

