Protesta në ditën e 25-të, Qiraxhi: Kjo nuk është më protestë, por një lëvizje shoqërore!

Protesta në ditën e 25-të, Qiraxhi: Kjo nuk është 

 Ilirjan Qiraxhi e cilësoi protestën qytetare si një zhvillim të rëndësishëm shoqëror, duke theksuar se ajo tashmë ka tejkaluar dimensionin e një proteste të zakonshme dhe është kthyer në një lëvizje të gjerë shoqërore.

I ftuar në një intervistë për "Ora News", Qiraxhi u shpreh se protesta e ditës së 25-të ka rrëzuar disa stereotipe të krijuara ndër vite mbi pasivitetin e qytetarëve shqiptarë.

Sipas tij, pjesëmarrja e vazhdueshme në protestë dëshmon se qytetarët shqiptarë dinë të reagojnë dhe të organizohen kur ndihen të përfaqësuar dhe jo të përdorur politikisht. Ai vuri në dukje se prej muajit dhjetor në vend janë zhvilluar vazhdimisht protesta të vogla në qytete të ndryshme, çka sipas tij tregonte ekzistencën e një pakënaqësie të akumuluar në shoqëri.

"Qytetarët nuk mungonin, por mungonin kushtet për t'i bashkuar ata", tha Qiraxhi, duke shtuar se suksesi i protestës lidhet me dy elementë kryesorë: mungesën e një drejtimi të qartë politik dhe mesazhin kundër të gjithë klasës politike.

Analisti theksoi se slogani "Rama në burg, Berisha në burg" nuk duhet parë në kuptimin literal, por si një pozicionim i qytetarëve përballë elitës politike tradicionale. Sipas tij, fakti që protestuesit nuk ndihen të instrumentalizuar nga parti apo individë të caktuar ka krijuar kushtet për një mobilizim të gjerë qytetar.

Më tej, Qiraxhi tha se protesta ka krijuar një klimë të re debati publik, ku qytetarët jo vetëm protestojnë, por edhe diskutojnë mbi modelin e së ardhmes së vendit, format e organizimit politik dhe nevojën për demokratizim më të thellë të shoqërisë.

Në përfundim, ai u shpreh se ndërtimi i një "Shqipërie të re" nuk mund të vijë vetëm përmes krijimit të një partie të re politike, por kërkon një transformim më të gjerë shoqëror, që përfshin lëvizje qytetare, media dhe organizata të reja, duke e konsideruar këtë moment si një mundësi të rëndësishme për ndryshim.

Ilirjan Qiraxhi:Kam përshtypjen që me këtë zhvillim shoqëror që po ndodh, me këtë protestë që unë preferoj ta quaj tashmë lëvizje shoqërore sepse nuk është vetëm një ditë që po protestohet. Kam përshtypjen që janë sqaruar për të gjithë opinionin publik edhe disa stereotipe që përgjithësisht na i kishin instaluar politika në vendin tonë.

Pra fjalë vjen, ne diskutonim tre javë përpara që qytetarët shqiptarë nuk ngrihen. U deshën tre javë për të vendosur njëherë e përgjithmonë që qytetarët shqiptarë, po, dinë të protestojnë. Nga ana tjetër, ne kishim stereotipin që qytetarët shqiptarë nuk protestojnë, nuk kanë kohën. Në fakt ka qenë një fenomen shumë interesant, unë e kisha matur prej dhjetorit kur edhe skandalet e qeverisë u rritën me çështjen Balluku.

Kisha bërë një analizë të shkurtër dhe po ndiqja të gjithë, edhe për shkak të interesit, po ndiqja të gjitha protestat e vogla që ndodhnin kudo në Shqipëri. Dhe prej dhjetorit deri tek protesta, le të themi, e flamingove, ne kishim në Shqipëri sistematikisht një ditë po, një ditë jo protesta të vogla.

Diku me 5 njerëz, diku me 10 njerëz, në Vlorë, në Lezhë, në Pogradec, në Tiranë, parti të vogla, parti të mëdha, të gjitha këto po t'i mblidhje, shikoje që qytetarë të fragmentuar, të palidhur me njëri-tjetrin, mundoheshin të protestonin në një farë forme të ekspozuar. Po nga ana tjetër, ne të gjithë kemi qenë konsumatorë të ankesave, pra e gjithë popullata në një farë mënyre kur diskutonin me njëri-tjetrin diskutonin për problematika të ndryshme. Që do të thotë ajo që mungonte për t'i sjellë qytetarët edhe për të protestuar ishin dy kushte që kjo protestë i plotësoi në mënyrë...

Kushti i parë ishte që qytetarët të mos e ndjenin veten të përdorur, dhe kjo ndodhi në këtë protestë. Organizatori dukej që nuk kishte, i padukshëm, ose i pa ndonjë peshë të caktuar sepse ka shumë grupe të decentralizuara që organizojnë diçka në atë protestë.

Po ky ishte një sinjal shumë i mirë për qytetarët për të thënë që ti nuk je aty për t'i shërbyer një partie të caktuar, një individi të caktuar apo një grupi të caktuar, po je ekzaktësisht për t'i shërbyer shqetësimeve të tua. Dhe çështja e dytë që ishte një mesazh që i përmblodhi të gjitha grupet në shesh, që ishte "Rama në burg, Berisha në burg" dhe sigurisht nuk është një deklaratë literale, sigurisht nuk do vendosen burg në shesh.

Por është një deklaratë pozicionimi.Që ishte kundër po, që do të thotë një mesazh që ne jemi përballë klasës politike. Këto dy kushtet, që ne jemi përballë klasës politike dhe ne nuk po përdoremi nga askush në këtë protestë, bëri kushtet ideale që të gjitha këto grupet që protestonin, këto qytetarë që protestonin, që diskutonin, të vinin në shesh edhe të protestonin në mënyrë fantastike, duke bërë pastaj një shërbim epokal, kam përshtypjen për vendin, në kuptimin e ndarjes së dy periudhave historike duke pretenduar shumë që kjo mund të jetë fundi.

Ata kanë instaluar një ëndërr. Të gjithë po flasim për Shqipërinë e re. 25 ditë përveç se protestojnë qytetarët vijnë aty edhe diskutojnë se si mundet kjo të jetë e, të jetë e mundshme. Çfarë duhet të rregullohet?  Qytetarët kanë filluar të diskutojnë ose në media, a do të ketë parti, a do të ketë lëvizje, si do iki Rama, si do iki Berisha. Gjëra të cilat nuk ndodhin më përpara. Dhe unë mendoj që e gjithë kjo është një kontribut i jashtëzakonshëm për t'i dhënë një mundësi çdo sektori në shoqëri për t'u demokratizuar.

Një proces që garanton shumë më shumë sesa një parti që mund të krijohetNe kemi një shprehje shumë të bukur që thonë 'Pranvera me një lule nuk vjen'. Që do të thotë Shqipëria e re me një parti nuk vjen. Ka nevojë për një mori ngjarjesh të cilat mund të jenë dhe ngjarje politike, që mund të jenë më shumë sesa një parti, mund të jenë lëvizje, mund të jenë disa parti, mund të jenë media të reja, mund të jenë organizata të reja.

Pra, ajo energji unë mendoj që imponon sektorëve të shoqërisë të modifikohen edhe të ndërtojnë një qasje të re për Shqipërinë. Dhe unë mendoj që kjo është një mundësi e shumë e mirë, pra gjithkush duhet të shikojë potencial nga kjo protestë. Që do të thotë, ju e lexuat deklaratën e kryeministrit. Kryeministri i ka porositur të gjithë drejtuesit politikë të vet që të shkojnë te qytetarët.

 

EMISIONET