Lamallari në Europol: Forcojmë bashkëpunimin në luftën kundër drogës dhe grupeve kriminale

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim në selinë e Europol në Hagë, ku u prit nga drejtori ekzekutiv në detyrë, Jürgen Ebner, si dhe nga përfaqësues të qendrave të specializuara të agjencisë kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Europol, me fokus të veçantë në luftën kundër trafikut të drogës, grupeve kriminale, trafikimit të qenieve njerëzore, krimit financiar dhe mashtrimeve online.
Lamallari vlerësoi partneritetin e ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe Europol, duke theksuar se bashkëpunimi operacional dhe pjesëmarrja aktive në operacionet e përbashkëta kanë sjellë rezultate konkrete në goditjen e rrjeteve kriminale dhe rritjen e sigurisë.
“Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit europian dhe po dëshmon çdo ditë se vepron si një partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm, duke kontribuar në sigurinë e përbashkët europiane me të njëjtin angazhim si vendet anëtare të BE”, theksoi Lamallari.
Në përfundim të takimit, u riafirmua angazhimi i përbashkët për ta çuar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Europol në një nivel edhe më të lartë, përmes shkëmbimit të informacionit, koordinimit operacional dhe intensifikimit të veprimeve kundër krimit të organizuar në të gjitha format e tij. Gjatë vizitës në Hagë, Lamallari u takua gjithashtu me homologun holandez, si dhe me presidentin e Eurojust.

