Turqia eliminohet nga Botërori, Paraguai reziston me 10 lojtarë dhe siguron fitore të artë

Paraguai afrohet akoma dhe më shumë drejt fazës me eliminim direkt në Botërorin 2026, pasi mposhti Turqinë me rezultatin minimal 1-0 në ndeshjen e Grupit D.
Amerikanolatinët arritën të ruanin avantazhin pavarësisht se luajtën të gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak, ndërsa humbja vulosi eliminimin e turqve nga turneu.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Paraguain. Vetëm 65 sekonda pas fishkëllimës së parë, një gabim në pasim i Turqisë u shfrytëzua nga Matías Galarza, i cili lëshoi një goditje të fortë nga distanca dhe mposhti portierin Uğurcan Çakır për 1-0.
Turqia reagoi dhe krijoi disa raste të mira. Arda Güler provoi me një goditje mbi traversë, ndërsa Mert Müldür iu afrua barazimit në minutat e para të pjesës së parë, kur goditja e tij me kokë pas një goditjeje dënimi u ndal nga fati, duke prekur si traversën ashtu edhe shtyllën.
Pak para pushimit, sfida mori një kthesë të papritur. Miguel Almirón u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Paraguain me 10 lojtarë për të gjithë pjesën e dytë.
Me epërsinë numerike, Turqia ushtroi presion të vazhdueshëm pas pushimit, por nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës. Deniz Gül, Can Uzun dhe Merih Demiral shpërdoruan rastet më të mira, ndërsa portieri Orlando Gill ishte vendimtar me pritjet e tij.
Pavarësisht dominimit dhe numrit të madh të rasteve të krijuara, skuadra e Vincenzo Montellës pësoi humbjen e dytë radhazi në grup dhe humbi çdo shans për kualifikim.
Ndërkohë, Paraguai mori tri pikë shumë të rëndësishme dhe afrohet ndjeshëm me fazën tjetër të turneut.
Rezultati:
Turqi 0-1 Paraguai
Matías Galarza 2’

