Paraguai surprizon Turqinë, Maroku mposht Skocinë dhe siguron kualifikimin

Paraguai surprizon Turqinë, Maroku mposht Skocinë dhe siguron

Grupi D i Botërorit ka dhuruar rezultate surprizuese, ku Paraguai arriti një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Turqisë, duke eliminuar skuadrën e drejtuar nga Vincenzo Montella nga turneu.

Amerikano-jugorët kaluan në avantazh që në minutën e dytë falë golit të Galarzës, i cili shfrytëzoi në maksimum një nga rastet e para të krijuara. Situata u komplikua për Paraguain në fundin e pjesës së parë, kur Almiron u ndëshkua me karton të kuq. Mesfushori paraguajan u përjashtua pasi mbuloi gojën me dorë gjatë një bisede me një kundërshtar, veprim që sipas rregullores së re të këtij Botërori konsiderohet shkelje dhe dënohet me përjashtim. Masa është vendosur nga organizatorët në kuadër të luftës kundër racizmit dhe për të garantuar transparencë në komunikimin mes lojtarëve në fushë.

Megjithëse luajti gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak, Paraguai arriti të ruante avantazhin. Turqia ushtroi presion dhe kërkoi golin e barazimit, por sulmet e saj rezultuan të pafrytshme përballë mbrojtjes së organizuar të kundërshtarit.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Maroku vazhdoi formën e shkëlqyer duke mposhtur Skocinë me rezultatin minimal 1-0. Golin e vetëm të takimit e realizoi Saibari pas vetëm 73 sekondash lojë, duke i dhënë një avantazh të hershëm ekipit afrikan.

Pavarësisht rezultatit të ngushtë, Maroku dominoi sfidën në shumicën e aspekteve të lojës. Skuadra krijoi më shumë raste, tregoi cilësi më të lartë individuale dhe kontrolloi zhvillimin e ndeshjes ndaj një Skocie që pati vështirësi të rivalizonte.

EMISIONET