NISIN FLUTURIMET TIRANË-TORONTO/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës linjë direkte me Kanadanë
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës shënoi nisjen e fluturimit të parë direkt drejt Torontos, Kanada, një linjë e re që shënon një arritje historike për industrinë e aviacionit në Shqipëri, duke qenë fluturimi i parë transoqeanik në historinë e vendit.
Avioni Airbus A330-200 i kompanisë Air Transat, i nisur nga Toronto, u prit me një ceremoni të veçantë në Aeroportin e Tiranës nga përfaqësues të qeverisë, drejtues të lartë të Kastrati Group dhe TIA-s.
Në orën 16:00 u nis fluturimi i parë nga Tirana drejt Torontos, duke hapur rrugën për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor mes Shqipërisë dhe Kanadasë.
Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, e cilësoi vendosjen e linjës direkte të Air Transat mes Torontos dhe Tiranës si një moment përcaktues për lidhjet ajrore të Shqipërisë.
Howard Liebman, zv.president për Marrëdhëniet Qeveritare në Air Transat, shprehu krenarinë për vendosjen e linjës direkte mes Shqipërisë dhe Kanadasë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Liebman: “Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi në një nga destinacionet më tërheqëse të Evropës, duke kombinuar çmime konkurruese me bukurinë natyrore, trashëgiminë e pasur kulturore dhe përvojat autentike.”
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoni, vlerësoi të dhënat e Aeroportit të Tiranës, duke i cilësuar ato si të jashtëzakonshme, dhe mbështeti synimet e TIA-s për të shtuar linjat ndërkontinentale.
Kryeministri theksoi gjithashtu përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe avancimin e proceseve të dixhitalizuara në aeroport.
Ambasadorja e Kanadasë në Shqipëri, Elissa Goldberg, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe Ministri i Energjisë dhe Transportit, Enea Karakaçi, vlerësuan rëndësinë e linjës direkte Toronto–Tiranë.
Vendosja e fluturimeve direkte mes Shqipërisë dhe Kanadasë ka një ndikim që shkon përtej kufijve të Shqipërisë; ajo do të shërbejë si portë lidhëse me Amerikën e Veriut për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Falë investimeve të vazhdueshme të Kastrati Group, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është transformuar në aeroportin më të frekuentuar të rajonit dhe tashmë përmbush standardet e aviacionit modern për fluturime ndërkontinentale.

