ROL NË INTELIGJENCËN ARTIFICIALE/ Kina përballë sfidave të zhvillimit të teknologjive të avancuara
Kina synon të ketë një rol udhëheqës në zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke e konsideruar atë motor të inovacionit dhe rritjes ekonomike. Kryeministri aralajmëroi se teknologjitë e avancuara sjellin edhe sfida etike e rregullatore, ndaj kërkohet bashkëpunim ndërkombëtar.
Kina do të vazhdojë të luajë një rol aktiv në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja, deklaroi kryeministri kinez Li Qiang në hapjen e Forumit Veror të Davosit në Dalian, qytetin bregdetar në Kinën Verilindore.
Në fjalën e tij, kryeministri Li theksoi se ekonomia kineze po ruan stabilitet dhe ritme pozitive zhvillimi, ndërsa vendi po thellon integrimin me ekonominë globale.
Sipas tij, Kina ka zgjeruar më tej hapjen e tregut dhe ka rritur ndjeshëm importet gjatë muajve të parë të vitit.
Kryeministri kinez vuri në dukje edhe përparimet e shpejta në fushën e inteligjencës artificiale, duke e cilësuar sektorin si një motor të rëndësishëm të inovacionit dhe rritjes ekonomike.
Megjithatë, ai paralajmëroi se zhvillimi i teknologjive të avancuara sjell edhe sfida të reja etike dhe rregullatore.
Li Qiang bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar, duke theksuar se progresi teknologjik duhet t’i shërbejë zhvillimit të përbashkët dhe mirëqenies globale.
Gjatë forumit u publikua edhe raporti vjetor i botuar bashkërisht nga Forumi Ekonomik Botëror (ËEF) dhe shtëpia botuese e kërkimeve Frontiers mbi dhjetë teknologjitë më premtuese në botë, ku inteligjenca artificiale, teknologjitë kuantike dhe energjia e pastër renditen ndër fushat me ndikimin më të madh për vitet e ardhshme
