Thomas Frank është trajneri i ri i Tottenham-it, fillon një epokë e re për “Spurs”

Tottenhami ka zyrtarizuar pasuesin e Ange Postecoglou. Klubi anglez ka publikuar një komunikatë zyrtare për të njoftuar emërimin e Thomas Frank si trajnerin e ri të skuadrës, fituese aktuale e Europa League.
Trajneri danez 51-vjeçar largohet nga Brentford-i për të marrë drejtimin e “Spurs”, duke firmosur një kontratë trevjeçare, deri në vitin 2028.
“Kemi kënaqësinë të njoftojmë emërimin e Thomas Frank si trajnerin tonë të ri, me kontratë deri në vitin 2028.
Thomas ka një përvojë të gjerë në futbollin anglez, duke filluar punën me Brentford-i që nga viti 2016 dhe është një nga trajnerët më jetëgjatë në Premier League.
Gjatë kohës së tij në Brentford-i, ai e transformoi klubin duke e ngjitur nga Championship në një skuadër të konsoliduar në elitën e futbollit anglez, duke tejkaluar vazhdimisht pritshmëritë.
Me Thomas-in emërojmë një nga trajnerët më progresistë dhe inovativë në futbollin botëror.
Ai ka dëshmuar aftësitë e tij në zhvillimin e lojtarëve dhe të skuadrës dhe mezi presim që të drejtojë ekipin ndërsa përgatitemi për sezonin e ardhshëm.”
Frank do të ketë në krah Justin Cochrane (ndihmëstrajner i skuadrës së parë), Chris Haslam (përgjegjës për performancën dhe ndihmëstrajner) dhe Joe Newton (analist dhe trajner), të gjithë të ardhur nga Brentford-i.
Gjithashtu, Andreas Georgson, ish-pjesë e Manchester United, do t’i bashkohet stafit si ndihmëstrajner.
Tottenhami nis kështu një faqe të re nën drejtimin e një trajneri të vlerësuar për vizionin modern dhe sukseset e arritura me një klub modest si Brentford-i.

