Presidenti i Kepit të Gjelbër parashikon fitore ndaj Argjentinës

Presidenti i Kepit të Gjelbër parashikon fitore ndaj Argjentinës

Presidenti i Kepit të Gjelbër, José Maria Neves deklaroi sot se vendi i tij mund të mposhtë kampionët në fuqi të botës, Argjentinën, në raundin e 1/32 të finales së Kupës së Botës, duke theksuar se ekipi po “shkruan historinë e vet”, shkruan BBC.

“Mendoj se Kepit i Gjelbër mund të fitojë 1-0 ndaj Argjentinës”, tha ai në një intervistë për BBC.

“Ne luajmë për të fituar. Kur pritshmëritë janë të ulëta ndaj një ekipi dhe ai ekip ka dëshirë të madhe për sukses, gjithçka është e mundur. Një vend i vogël si Kepi i Gjelbër, duhet të përpiqet gjithmonë të surprizojë”, shtoi ai.

Deklarata e tij vjen përpara ndeshjes së së premtes në Miami, ku Kepi i Gjelbër, do të përballet me Argjentinën e Lionel Messit.

Ky është Botërori i parë në histori për Kepin e Gjelbër, një shtet ishullor në Oqeanin Atlantik, që ka hyrë për herë të parë në fazën me eliminim direkt, duke u bërë gjithashtu një nga vendet më të vogla, që arrin këtë sukses.

Skuadra ka marrë rezultate të rëndësishme në grup, përfshirë barazime ndaj Spanjës, Uruguait dhe Arabisë Saudite, duke siguruar vendin e dytë në Grupin H.

Sipas renditjes së FIFA-s, ka një ndryshim të madh midis dy ekipeve, me Argjentinën në krye të botës, ndërsa Kepi i Gjelbër renditet më poshtë në klasifikimin e FIFA-s midis ekipeve në Afrikë.

Megjithatë, presidenti Neves u shpreh se ekipi i tij ka “besim të plotë” dhe do të luajë pa frikë ndaj kampionëve.

“Ne kemi ardhur në këtë Botëror, për të shkruar historinë tonë, dhe për t’u përballur me kampionët”, tha ai.

Edhe trajneri Bubista dhe lojtarët kanë theksuar se skuadra “nuk e sheh asgjë si të pamundur”, duke e konsideruar ndeshjen një moment historik për vendin.

“Çfarëdo që të ndodhë, ne do të largohemi nga Botërori me kokën lart dhe me ndjenjën e një misioni të përmbushur”, përfundoi presidenti.

EMISIONET