“Ndihem si në vitin 2013 te Reali”, Ancelotti flet për misionin me Brazilin!

Trajneri i ri i kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka krahasuar dëshirën e madhe të brazilianëve për të fituar sërish Kupën e Botës me obsesionin që kishte Real Madrid për të fituar “La Décima”, trofeun e dhjetë të Ligës së Kampionëve.
Në një intervistë për SportWeek, tekniku italian tha se atmosfera që po përjeton në Brazil i kujton periudhën kur mori drejtimin e Real Madridit në vitin 2013.
“Po, kjo është diçka që ndihet shumë këtu. Më duket sikur jam kthyer në vitin 2013, kur mbërrita te Real Madridi.
Atje ekzistonte obsesioni për të fituar ‘La Décima’, trofeun e dhjetë të Champions League, që mungonte që nga viti 2002 dhe që arritëm ta fitonim në vitin 2014”, deklaroi ai.
Ancelotti pranoi se është befasuar nga pritja e ngrohtë dhe mbështetja e tifozëve brazilianë, duke theksuar se nuk e kishte imagjinuar një dashuri kaq të madhe ndaj tij.
Trajneri italian shtoi gjithashtu se është përshtatur më shpejt sesa e kishte menduar me rolin e përzgjedhësit të kombëtares, pavarësisht ndryshimit të madh nga puna e përditshme në nivel klubesh.
Duke folur për kulturën futbollistike të vendit, Ancelotti vlerësoi pasionin unik që brazilianët kanë për futbollin, duke e cilësuar atë të pakrahasueshëm me përvojat e tij në vendet europiane.
Brazili nuk e ka fituar Kupën e Botës që nga viti 2002 dhe misioni kryesor i Ancelottit është t’i rikthejë “Seleçaos” titullin e gjashtë botëror, një objektiv që mbetet ëndrra më e madhe e tifozëve brazilianë.


