NDESHJA SHQIPËRI-POLONI/ Lundra: Ne shkojmë me mbrojtje të 'hekurt', do shfrytëzojmë çdo hapësirë që na lë kundërshtari

Në studion e “Sport Focus”, analisti sportiv Dritan Lundra bëri një analizë të thelluar për sfidën e ardhshme të Shqipërisë kundër Polonisë, e cila do të luhet në kuadër të play-off-it për kualifikimin në Botëror.

Lundra vlerësoi se, edhe pse Polonia duket favorite për shkak të historisë dhe formacionit të konsoliduar, fitorja nuk është e pamundur për kuqezinjtë.

Ai theksoi se forca e Shqipërisë qëndron te mbrojtja e fortë dhe loja e organizuar, duke shtuar se katër fitoret e fundit dhe vetëm një gol i pësuar tregojnë një ekip të vendosur dhe të disiplinuar.

“Ne shkojmë me një mbrojtje të hekurt dhe do të shfrytëzojmë çdo hapësirë që na lë kundërshtari. Presioni është mbi Poloninë, jo mbi ne.”-tha ai.

Ai nënvizoi gjithashtu se presioni psikologjik është në favor të Shqipërisë, pasi skuadra ka përmbushur objektivin duke arritur në play-off, ndërsa Polonia ka detyrimin të fitojë. Strategjia kryesore pritet të jetë mbrojtja dhe kundërsulmet e shpejta.

“Me këta lojtarë dhe këtë organizim, nuk është e pamundur të përfitojmë nga ndonjë kundërsulm dhe të marrim rezultat pozitiv.”- u shpreh Lundra.

Analisti vlerësoi gjithashtu grumbullimin e lojtarëve nga trajneri Silvinho, duke e parë listën si të fortë dhe me mundësi për t’i bërë presion ekipit polak gjatë ndeshjes.

EMISIONET