NDESHJA E 'HEKURT' SHQIPËRI-POLONI/ Gjimshiti: Në fushë futem vetëm për fitore, të jemi perfekt për të fituar ndaj tyre
Në prag të ndeshjes vendimtare të Shqipërisë kundër Polonisë për Play-off-in e Botërorit, mbrojtësi kuqezi Berat Gjimshiti foli në konferencën për shtyp pranë trajnerit Sylvinho.
Gjimshiti tha se ekipi ka ndjerë rëndësinë e sfidës dhe se përvojat e ndeshjeve të fundit kanë ndihmuar për të përgatitur skuadrën.
Ai u shpreh se ekipi do të japë maksimumin në fushë, duke u përballur me një kundërshtar me nivel të lartë, dhe se dëshira, vullneti dhe përkushtimi do të vendosin rezultatin.
Gjimshiti shtoi se ekipi është i gatshëm dhe se ai që do tregojë më shumë aftësi në fushë do të fitojë, duke e bërë këtë ndeshje një mundësi të madhe për kuqezinjtë.
"Në këtë moment nuk mund të zgjedh, mes Europa League apo Botërorit. Por, si kapiten, një Botëror me Shqipërinë, do të ishte diçka e madhe. Mendojmë vetëm për nesër, pastaj të shohim çfarë do të ndodhë.
Unë besoj që shanset kur futesh në fushë janë 50-50. Unë në fushë futem vetëm për fitore, po ashtu edhe Kombëtarja. Kemi marrë shumë eksperiencë në ndeshjet e fundit. Kjo mendoj se do të na ndihmojë. Për taktikën vendos trajneri. Duhet të jemi perfektë për të fituar ndaj Polonisë“- tha ai.


