Trump deklaron marrëveshje të gjerë me Iranin: “Ka rënë dakord për pothuajse gjithçka”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ka pranuar “pothuajse gjithçka që SHBA i nevojitet” në kuadër të negociatave mes dy vendeve.
Në një intervistë për CNBC, Trump tha se qëllimi i administratës së tij nuk është ndryshimi i regjimit në Iran, por ndalimi i zhvillimit të armëve bërthamore.
“Unë nuk po kërkoj ndryshim regjimi. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, u shpreh ai.
Trump shtoi gjithashtu se Irani është “shuar plotësisht ushtarakisht”, duke theksuar se vendi ende disponon disa raketa, por sipas tij ato mund të neutralizohen.
Gjatë intervistës, presidenti amerikan e krahasoi Iranin me “një fëmijë të llastuar” dhe e cilësoi si “ngacmuesin e Lindjes së Mesme”, duke thënë se Teherani do të ketë nevojë për kohë për t’u përshtatur me presionin ndërkombëtar.
Deklaratat vijnë në një moment kur bisedimet për një marrëveshje përfundimtare mes SHBA-së dhe Iranit janë në zhvillim e sipër në Katar. Raundi i radhës i negociatave pritet të mbahet pas ceremonisë së varrimit të ish-udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.
Ndërkohë, administrata Trump është përballur me kritika për mosparashikimin e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një zhvillim që ndikoi në rritjen e çmimeve të energjisë dhe rriti presionin ndërkombëtar për rikthim në tryezën e dialogut.



