Skandal në Serie A / Zbulohen përgjime për rrjet es*ortash në Milano, nën hetim emra të njohur

Gazeta italiane La Repubblica ka publikuar përgjime të reja që lidhen me hetimin për një rrjet eskortash në Milano, ku përmenden disa emra të njohur të futbollit italian. Mes tyre është edhe mbrojtësi i Interit dhe i kombëtares italiane, Alessandro Bastoni, i cili ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij.
Sipas raportimeve, hetimet lidhen me një agjenci të quajtur “Ma.De.”, pronarët e së cilës ndodhen në arrest shtëpiak. Në komunikimet e zbuluara, përmenden biseda mes personave të përfshirë dhe një futbollisti të Serie A, i identifikuar me inicialet B.K., i cili nuk është nën hetim.
Në një nga mesazhet e publikuara, flitet me gjuhë të drejtpërdrejtë për takime dhe darka, ndërsa në një tjetër shkëmbim, një person shprehet për një vajzë: “Ajo është shumë e mirë, një bishë”, duke u shoqëruar me komente që hetuesit i kanë përfshirë në dosje si pjesë e komunikimeve të dyshuara.
Ndërkohë, Prokuroria e Milanos ka nisur marrjen në pyetje të disa futbollistëve të Serie A në cilësinë e dëshmitarëve. Deri tani janë dëgjuar Daniel Maldini dhe Kevin Bonifazi, ndërsa pritet të dëshmojë edhe Riccardo Calafiori.
Po ashtu, është parashikuar që Alessandro Bastoni të merret në pyetje në ditët në vijim. Sipas hetimeve, ai dyshohet për përfshirje në një çështje që lidhet me prostitucion, por lojtari i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e hetuar.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrjetin e dyshuar dhe lidhjet e mundshme mes personave të përfshirë, ndërsa dosja pritet të zgjerohet me dëshmi të reja nga futbollistë dhe persona të tjerë të thirrur nga prokuroria.


