Dështimi në miqësore dhe pikëpyetjet e mëdha mbi trajnerin e ri të Kombëtares/ Prokopi:Duket sikur ka një ngërç mes ideologjisë së trajnerit dhe atë çfarë ofron skuadra

Dështimi në miqësore dhe pikëpyetjet e mëdha mbi

Dy humbjet e njëpasnjëshme ndaj Izraelit dhe Luksemburgut kanë ndezur sirenat e alarmit në kampin kuqezi. Ndonëse bëhej fjalë për ndeshje miqësore, dështimet në fushën e blertë kanë zbuluar një problematikë të thellë që lidhet me vizionin e trajnerit të ri, Rolando Maran. Tekniku kërkon një Shqipëri që ushtron presion të lartë, një stil loje që duket se nuk përputhet me karakteristikat dhe formën fizike të lojtarëve aktualë.

Zbatimi i një presioni të lartë në fushë kërkon një përgatitje optimale fizike dhe psikologjike. Aktivizimi i lojtarëve si Armando Broja, të cilët kanë pasur minutazh të kufizuar me pikatore në klubet e tyre gjatë këtij sezoni, e bën pothuajse të pamundur realizimin e kësaj skeme. Për më tepër, stafi teknik ka në dispozicion vetëm dy ose tre ditë për të punuar me ekipin gjatë grumbullimeve, një kohë tepër e shkurtër për të ndryshuar tërësisht ADN-në e skuadrës.

Një tjetër pikë e nxehtë është mungesa e Ernest Muçit, një prej talenteve më të spikatur të kombëtares. Lënia jashtë e tij në këto dy ndeshje testuese, zyrtarisht për shkak dëmtimi, do të thotë se ylli kuqezi mund të mos jetë i testuar dhe i përshtatur me skemat e trajnerit të ri për ndeshjet e Ligës së Kombeve në shtator. 

I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", gazetari Mantho Prokopi, i cili theksoi se dy ndeshjet miqësore të kombëtares shqiptare ishin zhgënjyese dhe treguan se ideja e lojës me presion të lartë nuk po funksionon. 

Ai kritikoi trajnerin e ri, duke thënë se mund të mos jetë zgjedhja e duhur dhe se ka mospërputhje mes stilit të tij dhe lojtarëve. Gjithashtu, u shqetësua për mungesën e Muçit dhe për pasigurinë që ka skuadra para ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

"Unë në fakt nga tipi jam pak kritik, jam kritik shumë për ato që i dua dhe kërkoj që të bëjnë mirë dhe mendoj që ndoshta nuk është herët për të gjykuar, por jemi fiks në kohë për të thënë që ky trajner me shumë gjasa nuk është zgjedhja e duhur për kombëtaren tonë.

Pra në fakt, në të vërtetë, ishin dy sfida miqësore ku shumë mendojnë ashtu siç tha dhe trajneri që ndoshta lojtarët në fund sezoni nuk mund të jepnin maksimumin e tyre, por mos harroni që këto dy sfida miqësore janë shumë të rëndësishme, ose më saktë ishin shumë të rëndësishme për kombëtaren shqiptare për t'u përgatitur për sfidat e Ligës së Kombeve që fillojnë në muajin shtator, ku objektivi jonë është të dalim të parët në ligën tonë, jemi në Ligën C.

Pra, morëm një trajner të ri që kërkon t'i japë një fytyrë të re kombëtares tonë, kërkon që Shqipëria të luajë një lojë me presion, me pressing të lartë dhe në dy testet që ai zhvilloi me Izraelin dhe Luksemburgun, të dyja testet dolën të dështuara. Çfarë do të thotë që tashmë kombëtarja shqiptare është në një pikëpyetje shumë të madhe se çfarë do të bëjë në sfidat e muajit shtator për Ligën e Kombeve.

Nëse do të vazhdojë sërish të insistojë me një Shqipëri që luan me presion të lartë, por që merr humbje siç pësuam humbje me Izraelin dhe Luksemburgun, apo ndoshta trajneri i ri Rolando Maran do të bëjë prapakthehu dhe do të kërkojë një Shqipëri që do të luajë sërish në mbrojtje ose të paktën do kujdeset më shumë që mos pësojë pas dhe më pas të shpresojë tek një gol. Pra, literalisht dy humbjet janë shqetësuese pasi tregojnë që ideologjia e trajnerit nuk përshtatet me skuadrën tonë dhe kjo është ajo që ngre sirenat e alarmit" -tha ai.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

EMISIONET