Lundra: Gjigantët po fshihen, Gjermania është një skuadër në rindërtim, është një skuadër pa fizionomi
I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, gazetari Dritan Lundra u shpreh se kampionati Botëror i futbollit ka nisur me dinamika të papritura, ku skuadrat e ashtuquajtura "të mëdha" nuk kanë shpalosur ende potencialin e tyre të vërtetë.
Sipas tij, ekipet pretendente po tregohen të rezervuara në ndeshjet e para, duke shmangur konsumimin e tepërt të energjive përballë kundërshtarëve që e nisin turneun duke dhënë maksimumin e tyre.
Ndërkohë, vëmendja po zhvendoset fuqishëm drejt kombëtareve afrikane, të cilat po demonstrojnë një rritje të jashtëzakonshme cilësore. Lundra u shpreh se ekipe si Senegali, kampioni real i Kupës së Afrikës, apo Bregu i Fildishtë, po dëshmojnë se janë forca që nuk mund të injorohen lehtë.
Baza e këtij suksesi qëndron te fakti se lojtarët afrikanë tashmë aktivizohen në kampionatet më elitare të Evropës, si Premier League, Bundesliga apo ligat kryesore në Spanjë dhe Francë.
Megjithatë, goditja më e rëndë vjen për Kombëtaren e Gjermanisë. Në vlerësimet e Lundrës, Gjermania është përjashtuar plotësisht nga lista e skuadrave të mëdha të këtij kompeticioni. E cilësuar si një ekip i shkatërruar, në fazë rindërtimi dhe "pa asnjë fizionomi", ajo shihet si një skuadër që thjesht rrotullohet nëpër fushë pa një qëllim të qartë.
Ndonëse mundësia për të kaluar fazën e grupeve ekziston, ky ekip nuk konsiderohet më një kërcënim real. Fytyrat e vërteta të gjigantëve të futbollit pritet të zbulohen vetëm pas fazës së parë të grupeve, në sfidat e eliminimit direkt.
PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BOTËRORIT” NË “ORA NEWS”


