Dalipi: Kampionati botëror thyen çdo rekord, rregulla absurde, lumë golash dhe magjia e Messit

Gazetari Moisi Dalipi i ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, u shpreh se Kampionati botëror i futbollit po dhuron një spektakël të paparë deri më tani, duke tejkaluar çdo pritshmëri të sportdashësve.

Me rreth 35 ndeshje të zhvilluara tashmë, shifrat flasin për një sukses të jashtëzakonshëm, pasi në shkallët e stadiumeve janë regjistruar mbi 2 milionë tifozë.

Një nga detajet që ka tërhequr më së shumti vëmendjen, tha Dalipi është ecuria e shkëlqyer e vendeve organizatore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika kanë konfirmuar traditën e organizatorëve, duke siguruar kalimin në turin tjetër dhe duke mbajtur gjallë entuziazmin e publikut vendas.

Megjithatë, ky turne nuk po mbahet mend vetëm për shifrat e frikshme të pjesëmarrjes, por edhe për rregullat e reja dhe vendimet e papritura të arbitrave.

Dalipi tha se një moment që ka habitur të gjithë analistët dhe tifozët ishte kartoni i kuq i dhënë ndaj një lojtari paraguajan për shkak të një gjesti me dorë në gojë, duke shënuar kështu kartonin e nëntë të kuq në këto finale botërore.

Nga ana tjetër, spektakli në fushën e blertë është i garantuar falë një mesatareje të jashtëzakonshme golash, e cila luhatet mes 3.3 dhe 3.4 gola për ndeshje.

 Ky festival golash është shoqëruar me një shpërthim dygolëshash nga lojtarë të ndryshëm, duke e bërë çdo përballje të paparashikueshme. Si për të vërtetuar se legjendat nuk zbehen kurrë, Lionel Messi vazhdon të mahnisë botën me paraqitjet e tij, duke regjistruar edhe një trigolësh që dëshmon sërish formën e tij të jashtëzakonshme në këtë kompeticion madhështor.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BOTËRORIT” NË “ORA NEWS”

EMISIONET