"Katari parkoi 'autobusin'"/ Shtrepi: Zvicra ka gjithçka për të shkuar larg
I ftuar në studion e emisionit “Ora e Botërorit”, analisti sportiv Josel Shtrepi komentoi ndeshjet e fundit të turneut, duke u ndalur te paraqitja e Shteteve të Bashkuara dhe përballja mes Zvicrës dhe Katarit.
Sipas tij, suksesi i kombëtares amerikane nuk është rastësi, por rezultat i investimeve të vazhdueshme në futboll dhe afrimit të modelit europian të lojës.
"Është një ekip që tregoi dominancë të plotë kundrejt Paraguajit. Investimet ndër vite që ka bërë Amerika e sjellin në këto rezultate dhe në këtë lloj futbolli të luajtur, që është totalisht i europianizuar."-u shpreh Shtrepi.
Vëmendja e Shtrepit u përqendrua edhe te sfida mes Zvicrës dhe Katarit, ku helvetët u shfaqën më të qetë dhe më të organizuar në fushë. Nga ana tjetër, Katari zgjodhi një qasje tërësisht mbrojtëse, duke u fokusuar te mbyllja e hapësirave dhe ruajtja e rezultatit.
"Po shikoja pjesën e parë dhe pashë një Zvicër shumë të relaksuar, shumë të lirshme në veprime. Katari u fut vetëm për t’u mbrojtur dhe për të bërë detyrat taktike në mbrojtje. Zgjodhi ‘autobusin’, siç thuhet në gjuhën popullore."-tha ai.
Analisti e sheh Zvicrën si një skuadër me potencial për të avancuar më tej në turne. Sipas tij, cilësia individuale e lojtarëve, organizimi në lojë dhe lidhja mes repartesh po i japin skuadrës një avantazh të dukshëm.
Edhe pse portieri i Katarit arriti të ndalë disa raste të pastra në pjesën e parë, Zvicra vazhdoi të krijojë mundësi përmes aksioneve të ndërtuara mirë dhe pasimeve të sakta, elementë që mund ta ndihmojnë të jetë një nga ekipet më interesante të këtij Botërori.


