"Gjermania nuk është më 'makina' e dikurshme"/ Mërgjyshi: Mbetet mes favoriteve
Artan Mërgjyshi analizoi në studion e emisionit “Ora e Botërorit” situatën aktuale të kombëtares gjermane, një prej skuadrave më të suksesshme në historinë e futbollit botëror dhe europian.
Sipas tij, Gjermania nuk është më skuadra dominuese që impononte ritmin dhe frikën ndaj çdo kundërshtari, por mbetet një nga ekipet që vazhdon të konsiderohet pretendente në çdo turne madhor.
"Gjermania ka qenë skuadra që ka bërë emër dhe histori në kampionatet botërore dhe europiane, por në këto vitet e fundit nuk është më ajo Gjermania që dominonte futbollin."-tha ai.
Rënia e rezultateve në vitet e fundit ka ngritur pikëpyetje për të ardhmen e një prej superfuqive tradicionale të futbollit. Megjithatë, pesha e fanellës, eksperienca dhe kultura fituese vazhdojnë ta mbajnë Gjermaninë mes skuadrave që askush nuk dëshiron t’i ketë përballë në fazat vendimtare.
Në analizën e tij, Mërgjyshi vlerësoi se pavarësisht luhatjeve, gjermanët mbeten një ekip i fortë dhe me potencial për të shkuar larg në kompeticionet e mëdha.
"Është një skuadër që gjithmonë rreshtohet te pretendentët në çdo kompeticion, qoftë Botëror apo Europian. Nuk është ajo Gjermania bindëse që dominonte, por prapë mbetet një skuadër e fortë."-shtoi Mërgjyshi.
Edhe pse epoka e dominimit absolut duket se ka mbetur pas, Gjermania vazhdon të mbetet një emër me peshë në futbollin ndërkombëtar, duke ruajtur statusin e një rivali serioz për çdo skuadër që synon trofetë më të mëdhenj.


