Kanadaja pret sonte Bosnje-Hercegovinën, SHBA sfidohet nga Paraguai
Kupa e Botës vijon me të tjera sfida në fazën e grupeve. Sonte në mbrëmje Kanadaja përballet me Bosnje-Hercegovinën, ndërsa në orët e para të mëngjesit të së shtunës, Shtetet e Bashkuara sfidojnë Paraguain para tifozëve vendas. Po ashtu, Katari dhe Zvicra do të kërkojnë një start pozitiv në ndeshjen e tyre të parë në turne

Pas dy ndeshjeve të para të Grupit A, vëmendja e tifozëve zhvendoset te përballjet e radhës, në të cilat do të bëjnë debutimin edhe organizatorët. Kanadaja do të jetë vendi organizator i radhës që do të zbresë në fushë, sonte në mbrëmje. Vendasit do të ndeshen me Bosnje-Hercegovinën, në sfidën e e vlefshme për Grupin B. Vendasit kërkojnë ta nisin me fitore aventurën e tyre në botëror, ndërsa boshnjakët synojnë të surprizojnë në debutimin e tyre. Sfida do të luhet sonte në orën 21:00.
Një nga ndeshjet më të shumëpritura, sidomos për vendasit është ajo mes Shteteve të Bashkuara dhe Paraguajit. Amerikanët do të luajnë para publikut të tyre në Los Anxhelos. Kjo sfidë mund të japë sinjalet e para për ekipin që do të marrë kontrollin e Grupit D. përballja do të luhet në orën 3 të mëngjes të së shtunës.
Ndërkohë, të shunën në mbrëmje, duke nisur prej orës 21:00 do të zbresin në fushë Katari dhe Zvicra në ndeshjen e parë të Grupit B. Zvicranët synojnë të konfirmojnë statusin e një skuadre të konsoliduar në arenën ndërkombëtare, ndërsa Katari kërkon të lërë pas paraqitjet e zbehta të viteve të fundit dhe të nisë me rezultat pozitiv këtë Botëror.

