Perandoria e dr*gës në Kolumbi të Koçekut dhe Hamzait/ SPAK zbulon lidhjet, laborator dr*ge në Kolumbi dhe Ekuador
Një aktivitet i gjerë i trafikut të drogës ishte krijuar nga Alfredo Hamzai, për të cilin SPAK thotë se ishte një prej personave që trafikonte lëndë narkotike, e ndërsa paratë e fituara pastroheshin në Shqipëri. Hamzai dhe Koçeku koordinonin grupet e drogës në disa porte të Amerikës Latine dhe të Evropës.
Sipas dosjes, aktiviteti është i shtrirë në disa vende, ku përveç aleancave dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit me grupe të ndryshme kriminale që operojnë në shtete të ndryshme (si hollandeze, belge, turke, izraelite, italiane, polake, braziliane, britanike, si dhe kartele të drogës nga Kolumbia, Paraguaji dhe Ekuadori), grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë mes tyre në këtë veprimtari, ose ndihmojnë njëri-tjetrin në procese të ndryshme, sipas njohjeve dhe lidhjeve që kanë në vendet ku transportohet lënda narkotike. Alfredo Hamzai, Luciano Koçeku, mundësojnë zinxhirë të ndryshëm të veprimtarisë kriminale, duke patur kontroll të plotë si të burimit prej nga vjen lënda narkotike, të pikave se ku do të kalojë tranzit dhe më pas në transportimin drejt magazinave; tek përpunimi kimik ka pajisje gjurmuese të tjera veç atyre të vendosura nga ata; me transportin më pas nëpër Europë si Belgjikë, Hollandë, Itali, Mbretëri e Bashkuar.
Hamzai e Koçeku, thotë SPAK, kanë bashkëveprim të vazhdueshëm, të cilët investojnë dhe shpenzojnë në lidhje me një laboratorë të ndodhur në Kolumbi e Ekuador, me përgjegjës shtetas shqiptar, i cili siguron furnizim, përpunim, rrugë transporti për shumë grupe kriminale shqiptare; përfshihen në trafikim të lëndëve narkotike nga këto shtete, e dokumentuar kjo me kapjen e sasisë prej 441 kg në Barcelonë, Spanjë; përfshihen në përpunimin e lëndës narkotike në Belgjikë, me qëllim trafikimin më pas në vende të tjera; si dhe përfshihen në transportim të lëndëve narkotike nga këto shtete në drejtim të Evropës, duke ndarë fitimet dhe shpenzimet; ata ndihmojnë njëri-tjetrin në dërgimin e forcës punëtore në laboratorin në Ekuador, siç është rasti i personit nën hetim Dritan Aga, Arsen Gerbi dhe Muhamet Mersini; udhëtimi i cili organizohet nëpërmjet prerjes së biletave pranë agjencisë nëpërmjet personit nën hetim Orgest Birçaj, nëpërmjet shoqërisë "Top Seven" sh.p.k., me aktivitet ndër të tjera agjenci udhëtimi. Personi nën hetim Alfredo Hamzai dhe Luciano Koçeku, për shkak të lidhjeve direkte me laboratorin e ndodhur në Ekuador e Kolumbi, konsiderohen si furnizues të lëndës narkotike, sipas kërkesave që kanë personat nën hetim Orest Sota, Orgest Birçaj, Adrian e Elton Memeti; personi nën hetim Alfredo Hamzai siguron informacione në lidhje me ngarkesat që kontrollohen dhe problematikat që ata kanë në trafikimin që vetë personat nën hetim kryejnë në kuadër të trafikimit të lëndës narkotike; ndërsa personi nën hetim Orest Sota, për shkak të lidhjeve që ai ka në Shqipëri, ofron informacione nëse në Shqipëri ka të dhëna për personat nën hetim.
Nga ana tjetër, sigurohet treg për shitje masive, si dhe transport në vende të ndryshme të Evropës, si në Itali nëpërmjet personave nën hetim Orgest Birçaj dhe Orest Sota, të cilët kanë rrjetin e tyre të trafikimit; në Angli nëpërmjet personit nën hetim Luciano Koçeku dhe në Zvicër nga personat nën hetim Elton Memeti dhe Adrian Rama; ata sigurojnë lëndë narkotike dhe transport për njëri-tjetrin sipas kërkesave të shpejta që ata, duke bashkëvepruar në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme në drejtim të veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Personi nën hetim Luciano Koçeku, nga ana tjetër, ka rrjetin e tij të trafikimit të lëndëve narkotike të drejtuar, pjesë e të cilit janë vëllezërit e tij Luciano Koçeku, të cilët veprojnë nën drejtimin e këtij të fundit, kryesisht në Angli dhe Belgjikë, si dhe personat nën hetim Astrit Vladi e Kastriot Vladi, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar për të cilët po vijojnë hetimet. Personat e përfshirë në këtë veprimtari kriminale e njohin njëri-tjetrin; ndihmojnë njëri-tjetrin në veprimtarinë e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe ato organizohen në pastrimin e parave, si dhe ndihmojnë njëri-tjetrin me veprime aktive konkrete në këtë veprimtari të pastrimit të parave, duke gjeneruar dhe pastruar miliona euro nga kjo veprimtari kriminale.

