INTERI SHPEJTON MERKATON! Provedel pranë transferimit te zikaltërit! Chalobah dhe Khalaili mbeten objektivat kryesorë
Interi është pranë afrimit të Ivan Provedel, ndërsa vijon negociatat për Anan Khalailin dhe Trevoh Chalobah. Sipas mediave italiane, Napoli dhe Como mbeten rivalët kryesorë të zikaltërve në këto operacione.

Interi vijon të lëvizë në merkaton e verës, me disa negociata të hapura për përforcimin e skuadrës. Sipas mediave italiane, klubi zikaltër është pranë mbylljes së marrëveshjes për portierin e Lazios, Ivan Provedel, ndërsa po punon paralelisht edhe për afrimin e Anan Khalailit dhe mbrojtësit të Chelseat, Trevoh Chalobah.
Transferimi i Provedel konsiderohet pothuajse i përfunduar, ndërsa më të ndërlikuara paraqiten bisedimet për Khalailin dhe Chalobah. Për sulmuesin e Union Saint-Gilloise, Interi përballet me konkurrencën e Napolit, ndërsa për Chalobah në garë është futur edhe Como, një klub që ka qenë aktiv në këtë merkato.
Sipas raportimeve, përfaqësuesit e Chalobah ndodhen në Itali për të zhvilluar bisedime me Interin dhe Comon, duke vlerësuar ofertat dhe projektet sportive të të dy klubeve. Pengesa kryesore mbetet Chelsea, i cili kërkon mes 30 dhe 35 milionë euro për kartonin e mbrojtësit anglez.
Edhe pse Como ka më shumë fleksibilitet financiar, Interi nuk ka hequr dorë nga objektivi, pasi trajneri Cristian Chivu kërkon një mbrojtës me eksperiencë dhe jo një investim për të ardhmen.
Në krahun e djathtë të sulmit, emri që kryeson listën e Interit mbetet Anan Khalaili. Zikaltërit kanë fituar terren ndaj Napolit, por negociatat vijojnë dhe diferencat ekonomike nuk janë mbyllur ende. Vlera e operacionit llogaritet rreth 25 milionë euro, ndërsa drejtuesit e Interit synojnë të shmangin një ankand mes klubeve të interesuara.
Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e të dy futbollistëve, ndërsa Interi kërkon të mbyllë sa më shpejt përforcimet kryesore për sezonin e ri.


