Mbi 100 të infektuar në anijen kroçere në SHBA, dyshohet për norovirus

Mbi 100 pasagjerë dhe rreth 23 anëtarë të ekuipazhit në një anije të kompanisë Princess Cruises dyshohet se janë infektuar nga norovirus, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Anija “Ruby Princess” u nis më 12 qershor nga San Francisko drejt Alaskës dhe Kanadasë, me kthim të planifikuar më 2 korrik. Rreth dy javë pas nisjes, CDC raportoi shpërthimin, i cili konsiderohet i tillë kur sëmuren të paktën 3% e pasagjerëve.
Në bord ndodheshin 3 mijë e 32 pasagjerë dhe 1 mijë e 144 anëtarë ekuipazhi.
Anija u ankorua në San Francisko të enjten për dezinfektim.
Norovirusi është ngjitës dhe shkakton simptoma si diarre dhe të vjella, duke u përhapur përmes kontaktit me sipërfaqe të kontaminuara ose ushqim të infektuar.
Autoritetet shëndetësore rekomandojnë larje të shpeshtë të duarve me ujë dhe sapun për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Anijet kroçere konsiderohen ambiente me rrezik të lartë për përhapjen e sëmundjeve për shkak të afërsisë së madhe mes pasagjerëve.
Personat e infektuar janë izoluar ndërsa vijon procesi i dezinfektimit të anijes.


