AKK ngre alarmin për Projektligjin për Pronën Publike: Po dobësohet autonomia e komunave

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kundërshtuar Projektligjin për Pronën Publike, duke e cilësuar si një hap drejt centralizimit të kompetencave dhe kufizim të rolit të komunave në menaxhimin e pronës së tyre.
Në reagimin e saj, AKK ka deklaruar se dispozitat e propozuara cenojnë të drejtën e komunave për të poseduar, administruar dhe zhvilluar pronën komunale, e cila sipas tyre është një element kyç i vetëqeverisjes lokale.
Sipas Asociacionit, projektligji bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe me parimet e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat garantojnë autonominë e komunave.
AKK ka paralajmëruar se kufizimi i kompetencave mbi pronën komunale mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal, realizimin e projekteve publike dhe tërheqjen e investimeve.
“Prona komunale është bazë për zhvillimin urban, krijimin e zonave ekonomike dhe realizimin e projekteve në interes të qytetarëve”, thuhet në reagimin e Asociacionit.
AKK i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të zhvillojë konsultime me komunat para çdo vendimi për këtë projektligj, duke kërkuar që ai të harmonizohet me parimet e decentralizimit dhe autonomisë lokale.


