Festë futbolli për vajzat U-14 në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Pranë shtëpisë së futbollit në Tiranë është mbajtur turneu rajonal për vajzat, U-14. Më shume sesa një gare, aktiviteti përcolli mesazhin e barazisë në këtë sport, pikërisht në ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave, në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë u organizua turneu rajonal me pjesëmarrjen e ekipeve të vajzave të moshës U-14.
Aktiviteti u kthye në një festë të vërtetë futbolli, duke vënë në qendër rolin, energjinë dhe talentin e vajzave në sport.
Turneu mblodhi rreth 120 futbolliste të reja nga të gjithë rajonet e vendit, të shoqëruara nga stafet respektive të skuadrave, të cilat krijuan një atmosferë pozitive dhe plot entuziazëm sportiv, duke treguar pasionin e tyre për lojën.
Në këtë aktivitet morën pjesë Përfaqësueset Rajonale të Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Korçës dhe Gjirokastrës, të cilat u përballën me njëra-tjetrën në një seri ndeshjesh dinamike dhe emocionuese.
Turneu u ndoq nga afër edhe nga stafi teknik i federatës, të cilët vëzhguan me kujdes të gjitha ndeshjet, me fokus evidentimin e talenteve të reja dhe ndjekjen e zhvillimit të tyre në kuadër të projekteve për zhvillimin e futbollit të vajzave.
Në përfundim të aktivitetit, të gjitha vajzat pjesëmarrëse u pajisën me certifikata mirënjohjeje, si simbol i angazhimit, pasionit dhe energjisë që sollën në këtë turne.

