Ethet e Botërorit / Ndreca: Jam paksa i zhgënjyer me stilin e Ancelotti-t, me mënyrën se si e ka futur mentalitetin e tij në këtë ekip!
Kupa e Botës e këtij viti po dhuron emocione të forta, por njëkohësisht po kthehet në një makth të vërtetë për ekipet europiane. Sipas analizave të fundit, oraret e papërshtatshme dhe klima po ndikojnë drejtpërdrejt në rënien e efikasitetit të lojës për kombëtaret e kontinentit të vjetër. Ndeshjet e luajtura në orare të vona apo në mes të vapës kanë nxjerrë jashtë loje emra të mëdhenj si Spanja, e cila ka treguar një performancë zhgënjyese.
Ndërkohë, ky kompeticion po shënon triumfin e ekipeve afrikane dhe aziatike. Kombëtare si Maroku, Egjipti dhe Kepi i Gjelbër po arrijnë rezultate historike, të ndihmuara edhe nga përshtatja më e lehtë me temperaturat e larta.
Një nga historitë më të jashtëzakonshme të këtij kampionati vjen nga portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha. Paraqitja e tij heroike jo vetëm që shpëtoi ekipin, por e ktheu atë në një fenomen global. Për vetëm 90 minuta, portieri kaloi nga 30 mijë në mbi 7 milionë ndjekës në rrjetet sociale, duke dëshmuar fuqinë e jashtëzakonshme që ka ky sport.
Ky sukses masiv në një moshë kur shumë lojtarë mendojnë tërheqjen, shërben si një mesazh i fuqishëm për të mos u dorëzuar kurrë.
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News”, në emisionin “Sport Fokus” me gazetaren, Anila Zyberaj, ishte gazetari sportiv, Klaudio Ndreca, i cili analizoi sfidat me të cilat po përballen ekipet në këtë kompeticion. Sipas tij, ndërsa FIFA është përpjekur të përshtasë oraret për publikun europian, vetë lojtarët europianë po hasin vështirësi të mëdha për t'u përshtatur me klimën, çka u reflektua te forma e tyre në fushë.
Një tjetër temë që u trajtua ishte edhe zhgënjimi me Brazilin, i cili po aplikon një lojë më shumë të orientuar drejt mbrojtjes dhe kundërsulmit. Nga ana tjetër, Botërori po shënon rritjen e jashtëzakonshme të Japonisë dhe kombëtareve afrikane. Japonezët nuk po shkëlqejnë vetëm falë kulturës së pastrimit të stadiumeve apo disiplinës, por po zhvillojnë një projekt me synimin ambicioz për të fituar Botërorin në vitin 2050. Ekipet afrikane po dhurojnë paraqitje mbresëlënëse kundër gjigantëve të futbollit.
"Përshëndetje! Natyrisht, ky është problemi i vetëm. Pjesa e orareve nuk janë oraret më të përshtatshme sa i përket Europës, megjithatë nëse bëjmë një farë analize edhe në kontinentet e tjera, sepse ne të gjithë shikojmë veten tonë, por ky problem është më i madh për kontinentet e tjera sesa të Europës.
Sepse FIFA normalisht ka menduar që t'i përshtasi më shumë oraret me pjesën e Europës sesa me pjesën tjetër, sepse në Afrikë apo në Azi janë akoma më keq për pjesën e orareve të ndeshjeve. Të paktën ka një gjë të bukur që për shembull ndeshjet e ekipeve të Europës janë lënë në mënyrë të tillë që të shikohen më lehtë edhe nga tifozët të cilët ndodhen në kontinentin e Europës. Pra, janë ndeshjet të cilat luhen në orën 6 pasdite, në orën 8 të mbrëmjes, nuk janë ndeshje të cilat luhen në oraret më të vona.
Por këtu ka dhe një problem tjetër, sepse sa më shpejt që të jenë ndeshjet për ne, aq edhe më pa efikasitet është loja, aq edhe më keq zhvillohet loja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të diferencës së orarit.
Dhe janë ndeshje të cilat, siç luajti Spanja atje për shembull që luhet në mesin e drekës aty, dhe më pas ka një paraqitje shumë të keqe të ekipeve të Europës. Kjo është surpriza deri tani, fakti që ekipet e Europës nuk po përshtaten dot me klimën dhe me orarin e të luajturit futboll në një orar komplet të pazakontë nga më parë".
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:




