Konflikti SHBA-Iran përshkallëzohet/ Bandar Abbas bëhet pika vendimtare e luftës

Pas rifillimit të përplasjeve ushtarake në Gjirin Persik, Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Teheranit duke goditur objektiva detare dhe duke përdorur për herë të parë dronë detarë në operacione luftarake.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) publikoi pamje nga një operacion ku tre mjete pa pilot goditën një objekt në portin e Bandar Abbas, i përdorur për mirëmbajtjen e nëndetëseve dhe anijeve iraniane.
Bandar Abbas konsiderohet zemra e infrastrukturës detare të Iranit. Porti më i madh i kontejnerëve në vend kontrollon një pjesë të madhe të trafikut detar iranian dhe ndodhet pranë Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë.
Përmes kësaj ngushtice kalonte në kohë paqeje mbi 20% e eksporteve globale të naftës dhe gazit të lëngshëm, duke e bërë kontrollin e saj një pikë strategjike për ekonominë botërore.
SHBA synon të dobësojë aftësitë detare të Iranit duke goditur bazat, sistemet mbrojtëse dhe mjetet ushtarake, ndërsa Teherani vazhdon të përdorë raketa tokësore, dronë dhe mjete të vogla detare për të ruajtur ndikimin në këtë zonë.
Analistët paralajmërojnë se fati i përplasjes mes dy vendeve mund të varet nga ajo që do të ndodhë në Bandar Abbas, pasi dëmtimi i kësaj baze do të godiste rëndë kapacitetet detare të Iranit në Gjirin Persik.


