Trump shqyrton “dritën jeshile” për Al-Sharaan/ SHBA përballë një lëvizjeje të re kundër Hezbollahut

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton mundësinë për t’i dhënë udhëheqësit sirian Ahmed al-Sharaa autorizimin për një operacion kundër Hezbollahut, në një zhvillim që mund të ndryshojë ekuilibrat në Lindjen e Mesme.
Trump u shpreh se do të ishte e dobishme që Izraeli të tërhiqej nga disa zona në Liban dhe në jug të Sirisë, duke shtuar se Al-Sharaa dëshiron të hyjë në këto territore dhe të godasë Hezbollahun.
“Po mendoj t’i jap dritën jeshile”, deklaroi presidenti amerikan, pa sqaruar nëse ky veprim do të shoqërohej me mbështetje të drejtpërdrejtë nga SHBA-ja apo çfarë forme do të merrte një operacion i tillë.
Deklarata vjen në një periudhë tensionesh të larta në rajon, ku Izraeli ka vijuar operacionet ushtarake në Liban dhe Siri, ndërsa Hezbollahu mbetet një nga grupet më të fuqishme të armatosura në Lindjen e Mesme.
Çdo veprim i koordinuar mes Uashingtonit dhe Damaskut kundër Hezbollahut mund të sjellë pasoja të mëdha për sigurinë rajonale dhe marrëdhëniet mes aktorëve kryesorë në zonë.

