Dilema e Pulisiç, oferta nga SHBA! Negociatat për rinovimin me Milanin kanë mbetur të bllokuara
Christian Pulisic po përballet me një vendim të rëndësishëm për karrierën e tij. Interesimi i New York City FC dhe bllokimi i bisedimeve për rinovimin me Milanin kanë hapur skenarë të rinj për të ardhmen e amerikanit.

E ardhmja e Christian Pulisic te Milani mbetet e hapur, pavarësisht dëshirës së pronarit Gerry Cardinale për ta mbajtur amerikanin si një nga figurat kryesore të projektit kuqezi.
Mesfushori 27-vjeçar po përflitet gjithnjë e më shumë në tregun e transferimeve, ndërsa interesimi i New York City FC ka rikthyer diskutimet për largimin e tij nga Serie A. Sipas mediave italiane, klubi amerikan është gati t’i ofrojë një kontratë pesëvjeçare me pagë mbi 10 milionë euro në sezon.
Pulisic vjen pas një sezoni me ulje-ngritje dhe mungesa e kualifikimit të Milanit në Ligën e Kampioneve ka shtuar dyshimet për të ardhmen e tij në “San Siro”. Rikthimi në Shtetet e Bashkuara gjatë Botërorit ka bërë që lojtari të ndihet sërish pranë ambientit të tij natyral.
Ndërkohë, negociatat për rinovimin e kontratës me Milanin, e cila skadon në vitin 2027 me opsion zgjatjeje edhe për një sezon tjetër, janë bllokuar prej kohësh. Palët nuk kanë bërë përparim dhe nuk ka pasur kontakte të rëndësishme në muajt e fundit.
Sipas raportimeve, përfaqësuesit e futbollistit kanë shqyrtuar mundësi të tjera në treg, por deri tani oferta më konkrete ka ardhur nga New York City. Megjithatë, klubi amerikan ende nuk ka paraqitur një propozim zyrtar te Milani.
Drejtuesit kuqezi nuk kanë ndërmend ta shesin lehtësisht amerikanin, por situata mund të ndryshojë nëse vetë Pulisic kërkon largimin. Në të kundërt, Milani rrezikon të përballet me një çështje të vështirë kontraktuale në vitet e ardhshme, veçanërisht përballë kërkesave financiare që mund të rriten ndjeshëm.


