Chelsea “rrëmben” Palestrën! Londinezët kalojnë Interin me ofertë rekord për lojtarin
Marco Palestra është shumë pranë transferimit te Chelsea. Klubi londinez ka kaluar Interin në garë, duke bindur si Atalantën ashtu edhe lojtarin me një ofertë shumë më të lartë financiare.

Kur gjithçka dukej e mbyllur për kalimin e Marco Palestrës tek Interi, Chelsea ka ndërhyrë në momentet e fundit dhe ka përmbysur skenarin e merkatos.
Klubi zikaltër kishte arritur një marrëveshje paraprake me lojtarin, duke i ofruar një kontratë me vlerë rreth 3 milionë euro në sezon. Megjithatë, oferta e londinezëve rezultoi vendimtare për të ndryshuar drejtimin e negociatave.
Chelsea i ka propozuar mbrojtësit të djathtë një kontratë gjashtëvjeçare me pagë prej 5 milionë eurosh neto në sezon, plus bonuse, pothuajse dyfishi i asaj që ofronte Interi.
Paralelisht, klubi anglez ka bindur edhe Atalantën. Oferta zyrtare prej 55 milionë eurosh plus bonuse dhe 10 për qind nga një shitje e ardhshme është pranuar nga bergamaskët.
Sipas raportimeve nga Italia, gjatë orëve në vijim pritet kontakti përfundimtar mes Chelseat dhe përfaqësuesve të futbollistit për të mbyllur detajet e marrëveshjes personale.
Pasi të firmosen dokumentet, Palestra do të udhëtojë drejt Londrës për procedurat zyrtare dhe vizitat mjekësore.
Ndërkohë, Interi nuk ka dhënë sinjale për një kundërofertë të re, as për kartonin e lojtarit dhe as për pagën e tij, duke e bërë transferimin te Chelsea gjithnjë e më të afërt.


