Carlo Ancelotti mund të mos jetë trajneri i ri i Brazilit, prapaskena e bujshme
Pas muajsh negociatash dhe një marrëveshjeje ekonomike tashmë të arritur – 10 milionë euro në vit – Federata Braziliane e Futbollit (CBF) ka vendosur të ndërpresë bisedimet me Carlo Ancelotti-n për shkak të kundërshtimit të prerë të Real Madridit, që ka refuzuar dëmshpërblimin për ndërprerjen e kontratës së trajnerit italian, i cili është i lidhur me klubin deri në vitin 2026.
Sot, megjithatë, situata mund të ketë marrë një kthesë.
Sipas raportimeve nga ESPN Brasil, Ancelotti është takuar pasdite me presidentin Florentino Perez në qendrën stërvitore të Real Madridit, Valdebebas, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do t’i hapte rrugën largimit të tij drejt stolit të Brazilit.
Perez, i cili ishte shprehur i pakënaqur me publikimin e negociatave mes Ancelotti-t dhe "Seleçaos", duket se tashmë është i gatshëm për kompromis, duke pasur parasysh statusin legjendar të trajnerit italian në Madrid pas shumë trofeve të fituar.
Ky takim shihet si shansi i fundit për të marrë drejtimin e Brazilit. CBF dëshiron që çështja të zgjidhet sa më shpejt, për të mundësuar planifikimin e ndeshjeve të ardhshme.
Sipas marrëveshjes, Ancelotti do të duhej të merrte drejtimin e kombëtares që në fund të majit, për të drejtuar ekipin në ndeshjet kualifikuese për Botërorin kundër Ekuadorit dhe Paraguajit.
Nëse nuk gjendet një marrëveshje me Ancelottin, plani B për Brazilin është Jorge Jesus, i cili pritet të largohet nga Al-Hilal pas një sezoni zhgënjyes, ndryshe nga suksesi i tij i mëparshëm.