Julen Lopetegui pranë rikthimit në pankinë, spanjolli gati të drejtojë kombëtaren aziatike
Julen Lopetegui është shumë pranë rikthimit në pankinë.
Trajneri spanjoll, i larguar nga West Ham në janar, ka marrë një ofertë konkrete nga Federata e Futbollit të Katarit dhe gjithçka lë të kuptohet se ai do të jetë pasardhësi i radhës në drejtimin e kombëtares së vendit aziatik.
Ish-trajneri i Wolverhampton-it dhe Sevilla-s, sot 58 vjeç, gëzon një reputacion të lartë mes drejtuesve të futbollit në Katar.
Aftësitë e tij si trajner dhe puna e tij me të rinjtë janë cilësuar si thelbësore për projektin afatgjatë të zhvillimit të futbollit në vend, sidomos nëpërmjet akademive të futbollit që janë kthyer në një prioritet kombëtar.
Kombëtarja e Katarit është aktualisht në mes të fushatës kualifikuese për Kupën e Botës. Edhe pse kualifikimi direkt mbetet një sfidë e vështirë, shanset përmes play-off-it final janë ende reale.
Vitet e fundit, Katari ka shënuar suksesin më të madh në historinë e tij duke fituar dy Kupa të Azisë dhe duke qenë vendi pritës i Kupës së Botës 2022.
Lopetegui, i cili ka marrë edhe një ofertë nga klubi meksikan Monterrey, raportohet se ka kaluar në avantazh ndaj Christophe Galtier, trajneri aktual i Al-Duhail, i cili për një kohë të gjatë ishte favorit për stolin e kombëtares.