20 vite nga finalja e Berlinit, arbitri Elizondo: E përjashtova Zidane pa e parë goditjen me kokë ndaj Materazzit

20 vite nga finalja e Berlinit, arbitri Elizondo: E përjashtova Zidane pa e

Horacio Elizondo, arbitri i finales së Kupës së Botës 2006 mes Francës dhe Italisë, ka bërë një rrëfim të bujshëm 20 vite pas një prej episodeve më të famshme në historinë e futbollit, duke pranuar se e ndëshkoi me karton të kuq Zinedine Zidanen pa e parë vetë goditjen me kokë ndaj Marco Materazzit.

Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, arbitri argjentinas kujtoi momentin që ndryshoi rrjedhën e finales së Berlinit.

“Isha arbitri i finales së Botërorit 2006, ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime. Por e përjashtova Zidanen pa e parë goditjen me kokë ndaj Materazzit”, deklaroi Elizondo.

Ai shpjegoi se në atë moment po ndiqte zhvillimin e aksionit në anën tjetër të fushës dhe vetëm pasi u kthye pa mbrojtësin italian të shtrirë në tokë.

“Ndala lojën dhe pyeta asistentët e mi. Më pas arbitri i katërt, Luis Medina Cantalejo, bërtiti: ‘Goditje e tmerrshme me kokë’. Madje më tha: ‘Kur t’i shohësh pamjet, nuk do t’u besosh syve të tu'”, kujtoi ai.

Elizondo zbuloi edhe reagimin e Zidanes pas kartonit të kuq.

“Ai nuk protestoi. Hoqi shiritin e kapitenit dhe u largua. Jemi takuar sërish në vitin 2007, por nuk folëm kurrë për finalen”, tregoi arbitri.

Ndryshe ndodhi me Marco Materazzin.

“Ai më kërkoi të bënim një fotografi së bashku. Ishte i lumtur që më takoi”, përfundoi Elizondo.

Finalja e 9 korrikut 2006 mbetet një nga ndeshjet më të paharrueshme në historinë e Kupës së Botës, me Italinë që triumfoi ndaj Francës pas ekzekutimit të penalltive, ndërsa përjashtimi i Zidanes në minutat shtesë vazhdon të jetë një nga momentet më ikonike të futbollit botëror.

EMISIONET