VIDEO/ Pacienti 68-vjeçar në gjendje verbërie rifiton shikimin falë ndërhyrjes në QSUT

Një pacient 68-vjeçar, i cili kishte mbërritur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në gjendje verbërie, ka rifituar shikimin falë ndërhyrjeve të realizuara nga ekipi i shërbimit të Oftalmologjisë.
Duke vlerësuar punën e ekipit mjekësor të QSUNT-së, nën drejtimin e Dr. Ermal Simaku, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale deklaroi se investimet në teknologji moderne po mundësojnë trajtime të avancuara për pacientët.
Drejtoresha e QSUNT-së, Rudina Degjoni u takua nga afër me ekipin e mjekëve në shërbimin e Oftalmologjisë që realizuan këtë ndërhyrje.
Dr. Simaku tha se pacienti ishte paraqitur në spital në muajin maj, pa shikim në të dy sytë. Njërin sy e kishte humbur prej rreth shtatë vitesh, ndërsa në syrin tjetër kishte pësuar përkeqësim të rëndë të shikimit si pasojë e një gjendjeje të patrajtuar në kohë dhe diagnozës së kataraktit hipermatur.
“Fillimisht, ekipi mjekësor realizoi ndërhyrjen në syrin e majtë, ndërsa më pas u planifikua edhe kirurgjia e retinës për syrin tjetër, i cili nuk kishte pasur funksion shikimi prej vitesh. Ndërhyrjet kanë bërë të mundur rikthimin e shikimit te pacienti”, tha ai.
“Jam shumë i kënaqur me shërbimin dhe falënderoj mjekët që e bënë të mundur rikthimin e shikimit”, shprehet pacienti pas trajtimit.
Sipas drejtuesve të Shërbimit të Oftalmologjisë, gjatë muajve të fundit ka pasur një bllokim të përkohshëm në furnizimin me lente, çka ndikoi në ritmin e ndërhyrjeve për kataraktin. Aktualisht, situata është normalizuar dhe janë kryer edhe operacionet e pacientëve që kishin mbetur në pritje.
Shërbimi ka zgjeruar gjithashtu oraret për qytetarët, përmes organizimit të ri të punës me sistemin e fashave, duke rritur aksesin në vizita dhe ndërhyrje.
Nga trajtimi i glaukomës deri te kirurgjia moderne e retinës, shërbimi i Oftalmologjisë në QSUNT po ofron kujdes të specializuar për pacientët, duke kombinuar teknologjinë bashkëkohore me profesionalizmin e stafit mjekësor.


