Shpresë e re për gratë me kancer të vezoreve, aprovohet terapia e parë pas 20 vitesh!

Qindra gra në Angli që vuajnë nga forma të avancuara dhe të vështira për t’u trajtuar të kancerit të vezoreve do të kenë akses në një terapi të re, pasi Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Anglisë (NHS) ka miratuar përdorimin e ilaçit mirvetuximab soravtansine, i njohur me emrin tregtar Elahere.
Ky konsiderohet trajtimi i parë i ri i aprovuar për kancerin rezistent të vezoreve në më shumë se dy dekada dhe shihet si një zhvillim i rëndësishëm në luftën kundër një prej sëmundjeve më sfiduese gjinekologjike.
Kanceri i vezoreve është lloji i 18-të më i zakonshëm i kancerit në botë dhe prek mbi 300 mijë gra çdo vit. Mbi 75 për qind e rasteve diagnostikohen në faza të avancuara, kur sëmundja është më e vështirë për t’u trajtuar.
Megjithëse trajtimi standard përfshin kirurgjinë dhe kimioterapinë, rreth 80 për qind e pacienteve me sëmundje të avancuar përjetojnë rikthimin e kancerit, ndërsa shumë prej tyre zhvillojnë rezistencë ndaj kimioterapisë.
Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Kujdesin e Ekselencës (NICE) ka rekomanduar përdorimin e Elahere për pacientet me kancer epitelial të vezoreve, peritoneumit ose tubave fallopiane, të cilat nuk reagojnë më ndaj kimioterapisë me bazë platini dhe tumoret e të cilave shprehin proteinën FRα, objektivi kryesor i këtij trajtimi.
Sipas NHS-së, deri në 400 gra çdo vit mund të përfitojnë nga kjo terapi, e cila synon të ngadalësojë përparimin e sëmundjes dhe të zgjasë mbijetesën e pacienteve.
Ekspertët e konsiderojnë këtë miratim një hap të madh përpara në trajtimin e kancerit të vezoreve, një sëmundje që shpesh kalon pa u vënë re në fazat e hershme për shkak të simptomave të paqarta.
Mjekët kujtojnë se fryrja e vazhdueshme e barkut, dhimbjet në legen ose bark, ndjesia e ngopjes së shpejtë gjatë ngrënies dhe nevoja e shpeshtë për urinim janë ndër shenjat që nuk duhen neglizhuar, veçanërisht kur zgjasin për disa javë.


