Preferenca për të pasur djem bie globalisht, por jo në Shqipëri!

Preferenca për të pasur djem bie globalisht, por jo në

Një fenomen që për dekada ka ndikuar në balancën gjinore të lindjeve në shumë vende të botës po zbehet ndjeshëm. Sipas të dhënave të reja ndërkombëtare, numri i vajzave “të munguara” për shkak të përzgjedhjes gjinore para lindjes ka rënë ndjeshëm, duke treguar se preferenca tradicionale për djemtë është në tkurrje.

Vende si Kina, India dhe Koreja e Jugut po i afrohen raportit biologjikisht normal mes lindjeve të djemve dhe vajzave. Madje, në disa shtete të zhvilluara po shfaqet një prirje e re, ku një pjesë e prindërve shprehin preferencë për vajzat, të cilat konsiderohen më të lehta për t’u rritur dhe me mundësi më të mira në arsim dhe integrim social.

Ekspertët vlerësojnë se ky ndryshim mund të ndihmojë në reduktimin e pabarazive gjinore, por paralajmërojnë se mund të sjellë edhe sfida të reja demografike në të ardhmen.

Ndërkohë, Shqipëria vijon të regjistrojë një raport lindjesh mbi nivelin që konsiderohet natyral. Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë vitit 2024 në vend lindën 12.094 djem dhe 11.216 vajza, ose 108 djem për çdo 100 vajza, ndërsa norma biologjikisht normale është rreth 105 djem për 100 vajza.

Diferenca bëhet edhe më e dukshme te lindjet e katërta e më tej, ku raporti arrin në 113 djem për çdo 100 vajza. Edhe te lindjet e para dhe të treta, treguesi mbetet mbi normën natyrale.

Në të njëjtën kohë, numri i lindjeve në Shqipëri vijon rënien. Gjatë vitit 2024 u regjistruan gjithsej 23.310 lindje, 307 më pak se një vit më parë. Indeksi sintetik i fekonditetit mbetet në 1.64 fëmijë për grua, dukshëm nën nivelin 2.1 që nevojitet për zëvendësimin natyror të popullsisë.

EMISIONET