Sekreti i jetëgjatësisë?! Studimi nxjerr në pah përfitimet e ngritjes së peshave...

Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore British Journal of Sports Medicine sugjeron se ngritja e peshave mund të jetë një nga mënyrat më efektive për të përmirësuar jetëgjatësinë dhe për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve serioze.
Hulumtimi, i cili analizoi të dhënat e më shumë se 147 mijë burrave dhe grave përgjatë 30 viteve, zbuloi se personat që kryenin rregullisht stërvitje me pesha ose ushtrime me rezistencë kishin 13% më pak gjasa të vdisnin para kohe nga çdo shkak.
Përfitimet shfaqeshin edhe në mbrojtjen nga sëmundje të ndryshme. Sipas studiuesve, rreziku i vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, si infarkti dhe goditja në tru, ishte 19% më i ulët te personat që stërviteshin me pesha, ndërsa rreziku i vdekjes nga sëmundjet neurologjike, përfshirë demencën, u reduktua me 27%.
Ekspertët theksojnë se rezultatet më mbresëlënëse u vunë re tek individët që kombinonin stërvitjen me pesha me aktivitet aerobik, si vrapi, çiklizmi apo noti. Në këtë grup, rreziku i vdekjes së parakohshme rezultoi deri në 58% më i ulët krahasuar me personat fizikisht joaktivë.
Megjithatë, studimi evidentoi se stërvitja me pesha për më shumë se dy orë në javë nuk sjell përfitime shtesë të konsiderueshme për jetëgjatësinë. Sipas specialistëve, 90 minuta deri në dy orë në javë duket të jetë niveli optimal për të përfituar nga ky lloj aktiviteti fizik.
Mjekët dhe ekspertët e shëndetit e konsiderojnë studimin si një tjetër provë të rëndësishme që stërvitja me pesha ndihmon jo vetëm në forcimin e muskujve dhe kockave, por edhe në ruajtjen e funksioneve njohëse, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mbajtjen e pavarësisë fizike në moshë të avancuar.

