“Më nis pa limit, pres deri në 10 ton k*kainë”/ SPAK zbardh skemën e trafikut: Eldi Dizdari kërkonte ngarkesa pa limit, Aliu organizonte nisjet

Detaje të reja kanë dalë nga dosja e SPAK për një prej organizatave më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës, ku një pjesë e rëndësishme e provave mbështetet në komunikimet e zbardhura nga aplikacioni i koduar Sky ECC mes Eldi Dizdarit dhe Shpëtim Aliut, i konsideruar drejtues i grupit kriminal.
Sipas dosjes hetimore, Eldi Dizdari kërkonte vazhdimisht dërgesa të mëdha kokaine nga Ekuadori drejt Europës. Në një prej bisedave ai shkruan se mund të presë "deri në 10 ton kokainë", ndërsa në një tjetër shprehet: "Jo tre, po 10 në javë i përballoj".
Nga hetimet rezulton se Dizdari i ka transferuar Shpëtim Aliut të paktën 8 milionë euro brenda pak ditësh për organizimin e dërgesave. SPAK vlerëson se Aliu kishte rolin e sigurimit dhe koordinimit të nisjes së ngarkesave nga Ekuadori, ndërsa Dizdari kujdesej për pritjen dhe nxjerrjen e tyre në portet europiane.
Në dosje përmenden edhe Armando Pacani, Sokol Bibaj dhe Dritan Gjika, të cilët, sipas SPAK, kishin role të rëndësishme në organizatë. Hetimet tregojnë se Dritan Gjika siguronte kokainën, ndërsa Shpëtim Aliu organizonte daljen e sigurt të ngarkesave nga portet e Ekuadorit.
Komunikimet e Sky ECC përfshijnë edhe biseda që lidhen me pagesa për zyrtarë të korruptuar në Ekuador. Në një mesazh, Aliu shkruan: "Këtu na shohin të gjithë si dollar", duke iu referuar kostove të ryshfeteve.
Operacioni i SPAK përfundoi me lëshimin e 10 urdhër-arresteve dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 150 milionë euro, të cilat dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti i trafikut ndërkombëtar të kokainës.


