Sela: Parlamenti Evropian e tha qartë, provimet shtetërore duhet të jepen në gjuhën shqipe!

Sela: Parlamenti Evropian e tha qartë, provimet shtetërore duhet

Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka përshëndetur miratimin e amendamentit në raportin e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, i cili parashikon që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe.

Përmes një reagimi publik, Sela u shpreh se mesazhi i Parlamentit Evropian është i qartë dhe se provimet shtetërore duhet të jepen në gjuhën shqipe, pa pasur nevojë për ligje apo rregullore të reja.

“Parlamenti Evropian e tha qartë: provimet shtetërore duhet të jepen në gjuhën shqipe. Nuk tha as ligj të ri, as metodologji, as rregullore. Dhe jo vetëm jurisprudenca, por të gjitha provimet”, deklaroi ai.

Sela theksoi se Marrëveshja e Ohrit duhet të respektohet si në aspektin ligjor, ashtu edhe në frymën e saj, duke shtuar se qeveria aktuale po cenon jo vetëm të drejtat gjuhësore, por edhe parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Ai e cilësoi vendimin si një fitore të rëndësishme për studentët shqiptarë, duke përgëzuar angazhimin e tyre dhe duke kujtuar se edhe Parlamenti Evropian ka vlerësuar protestat studentore si jo të politizuara dhe jo destabilizuese.

Në përfundim, Sela bëri thirrje për vazhdimin e përpjekjeve për avancimin e statusit të gjuhës shqipe, duke kërkuar barazi të plotë kushtetuese mes gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase në Maqedoninë e Veriut.

EMISIONET