“Reagimi i Pendarovskit i nxituar dhe lëndues”, Berisha për vizitën e Kurtit në RMV: Dënoj qëndrimin paternalist të Vuçiç, apel ndërkombëtarëve të…

“Reagimi i Pendarovskit i nxituar dhe lëndues”, Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka analizuar sot vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut dhe reagimet që pasuan si nga Shkupi zyrtar ashtu dhe nga Beogradi.

Berisha shkruan në “Facebook” se deklarata e albanofobit të pakorrigjueshëm Vuçiç është e dënueshme.

Sa i përket reagimit të presidentit të Maqedonisë së Veriut, Berisha e cilëson të nxituar dhe lëndues.

Sipas tij, vendosja e emrit të Adem Demaçit një rruge në Çair i bën nder Shkupit, Maqedonisë së Veriut dhe mbarë rajonit Berisha thekson se përplasjet protokollare të padobishme të kësaj vizite me autoritetet zyrtare maqedonase kanë zanafillë rreshtimin antihistorik të Shkupit dhe Tiranës zyrtare në një aleance trilaterale me Beogradin në projektin serborus të Ballkanit të Hapur me të cilin Kurti nuk u pajtua dhe ka meritën e padiskutueshme të kundërshtimit të tij dhe mbështetjes në vend të tij të procesit të Berlinit.

Ai ka një thirrje dhe për komunitetin ndërkombëtar.

REAGIMI I PLOTË

Dy fjalë për vizitën e kryeministrit Kurti në Maqedoninë e Veriut.

Fobia ndaj emrit të të pavdekshmit të Adem Demaçit është lënduese jo vetëm për shqiptarët.

Deklarata e albanofobit të pakorrigjueshëm Vuçiç është e dënueshme.

Të dashur miq, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vizitoi në fundjavë me ftesë të qeveritarëve vendorë, komunat e Tetovës dhe Çairit në Shkup në Maqedoninë e Veriut. Në Tetovë z. Kurti u zotua solemnisht para qeveritarëve vendorë, por edhe mijëra e mijëra qytetarëve për ndërtimin e Tunelit të Sharrit dhe autostradës që lidh Tetovën me Prizrenin, një projekt ky jashtëzakonisht i rëndësishëm për Tetovën dhe Maqedoninë Perëndimore, mbasi jo vetëm afron shumë dy qytetet Prizren e Tetovë, por dhe shkurton me 2-3 herë distancën Tetovë-Prishtinë dhe Tetovë -Tiranë, uroj që ky projekt të realizohet sa më parë. Kurse në Komunën Çair në Shkup, z. Kurti mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga qeveria vendore për emërtimin e një rruge në atë komunë me emrin e Adem Demaçit, gjë për të cilën i përgëzoj autoritetet vendore.

Vizita jo formale në Maqedoninë e Veriut ngjalli edhe disa probleme të panevojshme protokolli dhe simbolesh të cilat për shkak të ndjeshmërive që ekzistojnë në trevat e këtij rajoni duhet shmangur. Por unë nuk dua të futem në polemikën që ka shoqëruar vizitën jo formale të z. Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, në komunat e Tetovës dhe Çairit në Shkup as edhe në interpretimet dhe pretendimet e forcave politike shqiptare dhe autoriteteve zyrtare lokale dhe qendrore të vendit. Por e konsideroj të rëndësishëm për rolin pozitiv të faktorit shqiptar, mbajtjen e raporteve të hapura pavarësisht nga preferencat dhe orientimet partiake me të gjitha forcat politike shqiptare në rajon dhe evitimin e thellimit të një procesi përçarës që Edi Rama, sapo erdhi në pushtet e nisi me forcat politike në Kosovë dhe e vazhdoi më pas edhe në Maqedoninë e Veriut. Përplasjet protokollare të padobishme të kësaj vizite me autoritetet zyrtare maqedonase kanë zanafillë rreshtimin antihistorik të Shkupit dhe Tiranës zyrtare në një aleance trilaterale me Beogradin në projektin serborus të Ballkanit të Hapur me të cilin Kurti nuk u pajtua dhe ka meritën e padiskutueshme të kundërshtimit të tij dhe mbështetjes në vend të tij të procesit të Berlinit. Mendoj se vazhdimi i mbështetjes së Ballkanit të Hapur është vazhdim i përçarjes së mëtejshme që solli projekti serbo-rus i Ballkanit të Hapur dhe duhet konsideruar seriozisht nga autoritet e Maqedonisë së Veriut, mbasi viktimat më kryesore të serbomadhisë në rajon do të ishin shqiptarët dhe maqedonasit.

Mirëpo ajo që më lëndoi në këtë histori është reagimi i kryetarit të shtetit të Maqedonisë së Veriut ndaj emërimit të një rruge në Çaire me emrin e Adem Demaçit, Mandelës të Europës, tribunit të lirisë, lauratit të Çmimit Saharov të Parlamentit Europian. Adem Demaçi me qëndresën e tij epike 28-vjeçare në burgjet dhe kampet e Jugosllavisë komuniste, titiste është një tribun i vërtetë lirie jo vetëm për shqiptarët, por dhe për maqedonasit, malazezët, kroatët, serbët, boshnjakët e slloven dhe të gjithë qytetarët liridashës të të gjitha kombeve që përjetuan shtypjen e egër të regjimeve totalitare komuniste. Në këtë kuadër reagimi negativ i Presidentit Pendarovski ndaj këtij akti që i bënë nder Shkupit, Maqedonisë së Veriut dhe mbarë rajonit mendoj se është i nxituar dhe lëndues për çdo qytetar liridashës të rajonit tonë dhe akoma më shumë për çdo shqiptar që e konsideron Adem Demaçin një hero kombëtar, një legjendë të qëndresës për liri dhe Maqedoninë e Veriut një vend mik të bazuar në një shoqëri multietnike në të cilin heronjtë e lirisë, simbolet e ndritura të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar pavarësisht nga përkatësia etnike, nuk mund të ngjallin gjë tjetër përveç se respekt dhe admirim.

Përveç këtyre, unë dënoj me forcë reagimin e albanofobit të pakorrigjueshëm, serbomadhit Aleksandër Vuçiç ndaj vizitës të z. Kurtit në Maqedoninë e Veriut. Presidenti i Serbomadhisë, Vuçiç e quajti vizitën e Kurtit si skandalin e skandaleve duke ndërhyrë kështu për të dëmtuar marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje e të pavarura. Me qëndrimin e tij paternalist ndaj vendit fqinj të pavarur e sovran, ai dëshmon se kërkon të bëjë rolin e xhandarit të rajonit nga pozita ultranacionaliste serbomadhe.

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë ndërhyrje të tilla paternaliste të presidentit të serbomadhisë që kanë si qëllim rritjen e tensioneve dhe keqësimin e marrëdhënieve midis fqinjëve në rajon. Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende mike fqinje të lidhura pazgjidhshmërisht me mijëra ura dhe fije. Ato kanë çdo instrument dhe mundësi të zgjidhin çdo keqkuptim apo kundërshti vetë me dialog dhe pa rolin, as dhe ndërhyrjen keqdashëse të Putinit të vogël në Beograd apo argatit të tij në Tiranë.

EMISIONET